Ministria e Punëve të Brendshme në krye me Oliver Spasovskin dhe Sindikata e Policisë së Maqedonisë e udhëhequr nga Marjan Kicev, kanë nënshkruar Marrëveshjen Kolektive, duke u vlerësuar si një marrëveshje e fituar nga dialogu ndërmjet palëve.

“Me nënshkrimin e Marrëveshjes së re kolektiv, ndryshimet të cilat edhe ne si MPB dhe përfaqësuesit e sindikatës, besojmë se në masë të madhe do të reflektojnë pozitivisht në raport me të drejtat sindikale, sociale dhe profesionale në institucione”, deklaroi Spasovski, duke e theksuar këtë si një shenjë që tregon se Qeveria angazhohet për policët.

MPB-ja sqaroi që Marrëveshja është një produkt nga bisedat dhe dialogu mes palëve, me qëllim përmirësimin e mëtutjeshëm të cilësisë së gjithë normativave dhe standardeve të nevojshme sociale dhe professional, për përmirësimin e kushteve të punës.

“Me këtë mund të themi se kemi shënuar histori në sindikalizmin e RMV-së. E kemi konfirmuar sloganin e Sindikatës dhe MPB-se se “Vetëm përmes dialogut vijmë deri te zgjidhja e vërtetë”. Dëshmuam se nuk jetojmë në shekullin e 16-të, kur punëtorët të drejtat e tyre i kanë fituar në rrugë”, deklaroi Kicev.

Raportohet që pjesë e ndryshimeve është edhe pamundësia për të ulur pozitën e një polici i cili është tre vjet para pensionit, dispozita të reja për punën gjatë natës, për çdo dhurim gjaku mund të merren tri ditë pushim, 100 euro për policen në çdo lindje, etj.