Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit ka kërkuar nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit hetim disiplinor ndaj kolegut të kolegut të tyre, gjyqtarit Luan Daci. Dje, anëtarët e KLGJ-s hodhën shortin për caktimin e gjyqtarit hetues dhe më pas Komisionin që do të shqyrtojë çështjen.

NJOFTIMI I PLOTË:

Në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, në regjistrin e Juridiksionit Disiplinor është regjistruar çështja (JD) nr.5/2021, datë 31.05.2021, me kërkues Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit dhe me objekt: “Procedim disiplinor ndaj gjyqtarit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit Luan Daci”.

Më datë 01.06.2021, u hodh shorti për caktimin e gjyqtarit hetues dhe më pas, për caktimin e Komisionit Disiplinor dhe kryesuesin e komisionit që do të shqyrtojë çështjen (JD) nr. 5/2021, datë 31.05.2021.

Pas hedhjes së shortit, gjyqtari hetues i kësaj çështjeje u caktua gjyqtar Ardian Hajdari, ndërsa Komisioni Disiplinor do të ketë përbërjen siç vijon:

Kryesuese: Natasha Mulaj

Anëtare: Albana Shtylla

Anëtare: Ina Rama

Daci u dënua me 6 muaj heqje lirie nga Apeli i Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Pak muaj më parë, Komisioni i Posaçëm i Apelimit pezulloi nga detyra gjyqtarin Luan Daci, pasi ky i fundit u mor i pandehur për falsifikim dokumentash. Gjithçka nisi pasi ish-prokurorja Antoneta Sevdari, e akuzoi për mashtrim të institucioneve shqiptare dhe u provuan edhe nga SPAK, që doli në konkluzionin se Daci nuk u largua nga sistemi, po u shkarkua për paaftësi në punë në vitin 1997. Sipas Prokurorisë së Posaçme, Daci ka paraqitur të dhëna të rreme, kur ka aplikuar për të qenë pjesë e trupës së KLP në vitin 2017.