Po përgatiteshin për të kultivuar mjaltin e vitit, por dy bletarët nga Tetova, u shtangën nga ajo që panë.

Mijëra bletë të ngordhura si pasojë e helmit kundër insekteve të pemëve. Pronarët e koshereve thonë se është prishur qindra kilogram mjaltë.

Te na bletët janë të shkatërruara, totalisht. Tash është kulmi i bletëve kur çdo koshere ka mbi 70.000 miza brenda por patë edhe ju me kamerat tuaja se sa bletë të vdekura ka në tokë. Një koshere bletë kushton afër 200 euro por tash nuk është aq sepse tash e ka kulmin e zhvillimit  kur brenda dhjetë ditësh prisnim të vjelim edhe mjaltin. Në 40 koshere minimum ka pasur nga 10 kilogram mjaltë dhe ne më nuk mund ta përdorim atë mjaltë”- thot Mahir Iljazi, Bletar.

Edhe pse me bletari po merren tash e dy dekada, Abdylnaser Jakupi thotë se pas këtij incidenti do të heqin dorë nga bletaria.

Ka gjasa edhe ta mbyllim me këtë punë. Ku ti çoj, ti çoj më poshtë është kombinati ku kam një pjesë toke edhe aty do spërkaten dhe do ndodh e njëjta. Për sivjet e mbyllëm sezonin me zero zero, apo me minus”- thot Abdylnaser Jakupi, Bletar

Thonë se rastin e kanë paraqitur në polici, jo për dëmshpërblim, por për të ngritur vetëdijen tek qytetarët që kanë pemishte që të mos përsëriten rastet e këtilla të zhdukjes masive. Nga policia në Tetovë konfirmuan se po merren me rastin e denoncuar.

Bashkim Sulejmani