Pas 11 vjet izolimi të vendit nga ana e VMRO-DPMNE-së dhe institucioneve të mbyllura për publikun, qeverisja aktuale karakterizohet nga transparenca dhe përgjegjësia, thonë nga LSDM.

Sipas tyre, raportet tregojnë progres të dukshëm në transparencën aktive të ministrive, qeverisë dhe komunave.

“Transparenca aktive e Qeverisë këtë vit u rrit në 93.5%, duke hyrë kështu në grupin “transparencë shumë e mirë”, ndryshe nga 2016 kur Qeveria i përkiste kategorisë së transparencës mesatare me një 25% të ulët. Renditja e lartë në këtë raport, por edhe në raporte të tjera ndërkombëtare janë një njohje reale e masave të marra për të rritur transparencën. Në vitin 2017, Qeveria udhëzoi ministritë dhe institucionet tjera për përgjegjësi ndaj Qeverisë. Ndryshe nga më parë kur shpenzimet zyrtare të zyrtarëve ishin sekret, sot të gjitha ato publikohen në mënyrë transparente.”,- deklaroi zëdhënësja e LSDM-së, Bogdana Kuzeska.

VMRO-DPMNE: Qytetarët në varfëri, oligarkët fitojnë miliona

I menjëhershëm ka qenë reagimi nga opozita maqedonase nga e cila akuzuan Qeverinë për shtim të krimit dhe korrupsionit dhe se gjatë kësaj qeverisje kanë përfituar vetëm njerëzit e afër me kryeministrin Zaev.

“Ekonomia po zhytet në recesion, shteti në borxhe dhe njerëzit në varfëri, por drejtorët dhe funksionarë të lartë të LSDM-së marrin licenca sa paga e një punëtori gjatë gjithë jetës së tij. Angjushev, kur ishte ministër, mori tokë për një hidrocentral përmes kompanisë së vëllait të tij, Zaevi mori koncesione për shfrytëzimin e burimeve minerale, tani Tundzev me një kompani të hapur në më pak se një vit, merr një licencë 35-vjeçare për prodhimi i energjisë elektrike.”,- u shpreh zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Naum Stoilkovski.

Nga LSDM kundërpërgjigjen se për punën e kësaj Qeveri duhet të flasin institucionet ndërkombëtare përmes raporteve dhe jo opozita që dëshiron të shohë vetëm zi në Maqedoninë e Veriut.