Në fshatin Mateç të komunës së Likovës me një ceremoni rasti u vu guri themeltarë i Xhamisë “Dëshmorët e 2001-it”. Të pranishëm në këtë event ishin kreu i BFI, Reisul Ulema Haxhi Shaqir Ef. Fetahi, muftiu i Kumanovës Abedin ef. Imeri, kreu i komunës së Likovës Erkan Arifi, si dhe mysafirë e banorë të fshatit.

“Në këtë lagje që jemi tani vetëm pas luftës së 2001-it janë ndërtuar diku mbi 70 shtëpi të reja, dhe largësia prej këtu e deri te Xhamia qëndrore arrin diku 1km, që don të thotë se ishte e nevojshme nga fakti se u bë rritja e fshatit, u rrit numri i banorëve dhe ndjehej nevoja për ngritjen e një Xhamie të re që sot më vetëm po e vejmë gurthemelin”, tha mes tjerash, D-r Naser Ramadani.

“Banorët e fshatit Mateç njihen si qytetarë bujarë, dijnë të kontribojnë në të mirat e përgjithëshme që të kemi një jetë sa më të mirë e cilësore për fëmijët tanë, kjo Xhami do të shërbejë për ngritjen e vetëdijes së përgjithëshme të banorëve tanë si dhe cilësinë e të jetuarit”, tha, Mr Erkan Arifi.

“Ua bëj përhajr këtë punë të hajrit, këtë Xhami e cila nga ky moment i bashkangjitet 700 Xhamive tjera të cilat figurojnë dhe ekzistojnë në RMV, sot kuptohet se është një ditë e madhe”, tha mes tjerash, Abedin ef. Imeri.

“Tërë ditën Xhamia e mban në lidhje besimtarin me të madhin Zot. Andaj nuk ka thënë kot Muhamedi a.s., Ai që merr pjesë në ndërtimin e Xhamisë, për hire të All-llahut fuqiplotë, le të jet i bindur se ai do ta ket një pallatë në botën tjetër”, tha mes tjerash, Reisul Ulema Haxhi Shaqir Ef. Fetahi.

Ndryshe ndërtimi i Xhamisë “Dëshmorët e 2001-it”, përkon edhe me 6 qershorin e vitit 2001, ditën kur edhe u çlirua ky fshat gjatë konfliktit të vitit 2001. Gjithashtu vlen të thuhet se ky është gurthemeli i Xhamisë së dytë brenda një mujai në fshatin Mateç.