Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se dialogun me Serbinë e shohin si dialog për njohje të ndërsjellë derisa ka thënë se kjo është edhe qasja e presidentit amerikan Joe Biden.

“Këtë e ka thënë edhe presidenti amerikan, Joe Biden, dhe plotësisht pajtohemi me këtë formulim. Serbia duhet ta njohë Kosovën dhe një Serbi që e njeh Kosovën e njeh edhe Kosova më pas, dhe kështu dy republikat tona krijojnë marrëdhënie të mirë fqinjësore sipas modelit evropian”.

Ai, në deklaratë për mediat pas takimit me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, tha se asnjë nga marrëveshjet e mëhershme me palën serbe nga qeveritë e kaluara – përfshirë edhe ajo për të pagjeturit sa ishte Qeveria Hoti – nuk vlejnë pa pasë dakordim të përgjithshëm për të gjitha.

“Nga marrëveshjet e mëhershme duhet ta keni parasysh që janë bërë nga një qeveri që doli se ishte jolegjitime dhe kundërkushtetuese, dhe asnjëra nga dakordimet e mëhershme nuk vlen nëse nuk ka dakordim për të gjitha. Nuk mund të thuhet që ka pasë marrëveshje në të kaluarën, por është zotimi jonë si Qeveri e Kosovës që nëse nuk ka diçka që nuk pret është çështja e të pagjeturve pasi familjet nuk jetojnë vetëm në dhembje dhe pikëllim, por edhe në ankth. Edhe ne e trajtuam këtë çështje, por nuk duket që ka gatishmëri me njerëzit përgjegjës të asaj kohe që fatkeqësisht janë në pozita të rëndësishme shtetërore, njerëz të emëruar nga pushteti i atjeshëm”.

A pret kryeministri kosovar marrëveshjet të shpejtë Kosovë-Serbi?

“Kam shpresë se nëse diskutojmë qysh në fillim, sinqerisht dhe seriozisht çështjet kryesore me siguri që nuk ka vend për skepticizëm. Vështirë do të jetë, por unë nuk do të thosha që jam pesimist pasi tash po i trajtojmë gjërat në thelbin e tyre dhe nuk po përpiqemi ta evitojmë ‘elefantin në dhomë’ dhe kjo është se presidenti Biden ka kërkuar njohje të ndërsjellë, pasi aktualisht kemi mosnjohje të ndërsjellë”.

Kryeministri kosovar ka folur edhe për atmosferën e takimit të parë me presidentin serb, shkruan Klankosova.tv.

“Ishte një takim ku u ruajt ‘distanca fizike’, pra ishim më shumë se dy metra larg njëri-tjetrit. Nuk kishte shumë befasi, por unë prezantoj interesat e Kosovës, të drejtat e popullit të Kosovës dhe në veçanti përpiqem që procesi të ketë parime, sepse vetëm në atë mënyrë është edhe i qëndrueshëm”.