Prokuroritë e Kosovës dhe Shqipërisë thanë të mërkurën se bashkëpunimi rajonal është i domosdoshëm për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Këto komente u bënë gjatë nënshkrimit të një marrëveshjeje mirëkuptimi në mes të Prokurorisë së Kosovës dhe Prokurorisë së Posaçme të Shqipërisë e njohur si SPAK, e cila parasheh shkëmbimin e informacioneve, të dhënave dhe provave që lidhen me rastet e krimit të organizuar, korrupsionit, pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.

Kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi tha se këto dukuri po e rrezikojnë sigurinë dhe drejtësinë në Kosovë por edhe në rajon.

“Ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë edhe me vende tjera të rajonit sepse e kemi parë se krimi në rajon dhe ndërkufitar është duke u paraqitur në forma të ndryshme sidomos nëpërmjet të zhvillimit të ndërmarrjeve, nëpërmjet investimeve të huaja dhe veprave të reja penale siç është pastrimi i parave dhe financimi i terrorizmit”, tha kryeprokurori Lumezi.

Ai tha se përveç shkëmbimit të informacioneve do të ketë edhe shkëmbim edhe të dokumenteve, analizave, raporteve dhe ligjeve të shteteve përkatëse.

Udhëheqësi i Prokurorisë së Posaçme të Republikës së Shqipërisë (SPAK), Arben Kraja, tha se është e domosdoshme që i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor të rrisin bashkëpunimin për të pasur sukses në luftën ndaj grupeve kriminale.

“Krimi i organizuar dhe korrupsioni, pastrimi i parave janë vepra penale që kanë shtrirje të gjerë pa diskutim edhe rajonal dhe më gjerë dhe e kanë të domosdoshme bashkëpunimin e strukturave tona, për ndryshe nuk do të kemi asnjëherë sukses”, tha zoti Kraja.

Dy javë më parë, prokuroritë e dyja vendeve së bashku me autoritetet e DEA-s amerikane dhe autoritetet italiane arritën të kapin rreth 400 kilogramë lëndë narkotike të tipit kokainë dhe arrestuan të paktën 7 persona, në një operacion në komunën e Lipjanit rreth 20 kilometra në jug të Prishtinës./VOA