Udhëheqësit e G-7ës përfunduan të dielën samitin tre-ditor, me zotimet për të vepruar ndaj disa çështjeve si dhënja fund e pandemisë së koronavirusit, zbutja e ndryshimeve klimatike dhe rindërtimi i ekonomisë globale. Grupi përmendi Kinën dhe Rusinë si kërcënime të sigurisë botërore dhe ekonomike. Korrespondentja e Zërit të Amerikës në Shtëpinë e Bardhë Patsy Widakuswara njofton nga Brukseli, ndalesa e radhës e Presidentit amerikan Joe Biden gjatë vizitës së tij në Evropë.

Një shfaqje nga forcat ajrore britanike dhe pritje nga Mbretëresha Elizabetë. Kryeministri britanik Boris Johnson, organizoi takimin e udhëheqësve të shtatë demokracive më të pasura në botë, i pari jo-virtual që nga viti 2019.

“Kishte nivel të mrekullueshëm harmonie”, tha ai.

Ndonëse dukej si takim normal, pandemia e koronavirusit hodhi një hije mbi samitin, i cili përfundoi me zotimin për t’i dhënë fund sëmundjes dhe për të parandaluar shpërthime të ngjashme në të ardhmen.

“Udhëheqësit premtuan dhurimin e mbi një miliard dozave të vaksinës, drejpërdrejt ose përmes COVAX-it”, tha zoti Johnson.

Aktivistët thonë se kjo nuk mjafton. Ata kërkojnë që vendet e pasura, të cilat akuzohen për grumbullim vaksinash, të bëjnë më shumë, duke përfshirë edhe heqjen e pronës intelektuale mbi vaksinat nga Organizata Botërore e Tregtisë.

Presidenti amerikan Joe Biden dhe ai francez e mbështesin kërkesën, por vendet e tjera nuk pajtohen.

“E dimë se donacionet nuk do na nxjerrin nga kriza. Ne duhej të shihnim bashkimin dhe angazhimin e udhëheqësve të G-7ës për të hequr dorë nga patentat për vaksinat dhe për të ndarë formulat, në mënyrë që vendet në zhvillim të mund të krijojnë vaksina për veten e tyre”, tha Anna Marriott nga organizata Oxfam.

Kina, e cila nuk është anëtare e grupit G-7, ishte temë diskutimi. Presidenti Biden u kërkoi udhëheqësve të luftojnë praktikat e punës së detyruar në Pekin dhe mosvullnetin për të respektuar rregullat ndërkombëtare të tregtisë.

Grupi njoftoi një mekanizëm të sponsorizuar nga ShBA për infrastrukturën e vendeve me të ardhura të ulëta dhe të mesme, të quajtur “Ndërtimi i Një Bote Më Të Mirë“, për të rivalizuar strategjinë e Pekinit për infrastrukturën botërore të quajtur politika e Brezit dhe Rrugëve, që është boshti i politikës së jashtme kineze.

“Ne mendojmë se ekziston një mënyrë shumë më e drejtë për të përmbushur nevojat e vendeve në të gjithë botën, që është një mekanizëm transparent financiar i drejtuar nga vlerat, që ne do ta sigurojmë“, tha Presidenti Biden.

Kina u kundërpërgjigj duke thënë se koha kur vendimet botërore diktoheshin nga një grup i vogël shtetesh ka kaluar.

Rusia, e përjashtuar nga grupi G-8 më 2018, pas aneksimit të Krimesë, u kritikua për qëndrime destabilizuese, duke përfshirë sulmet kibernetike dhe përdorimin e armëve kimike ndaj kundërshtarëve të Presidentit rus Vladimir Putin.

“Autokratët kanë shumë pushtet. Ata nuk i përgjigjen publikut”, tha presidenti amerikan.
Presidentët Biden dhe Putin takohen të mërkurën në Gjenevë.

Lidhur me ndryshimet klimatike, udhëheqësit u zotuan në përmbushjen e premtimit për të shpenzuar 100 miliardë dollarë në vit për të ndihmuar përballjen e vendeve në zhvillim me ngrohjen globale. Përkundër presionit të aktivistëve vetëm Gjermania dhe Kanadaja ofruan fonde konkrete.

“Ata po krijojnë imazhin sikur po bëjnë atë që duhet për klimën dhe urgjencën ekologjike, por ne e dimë të vërtetën”, thotë Richard Ecclestone, aktivist për klimën.

Presidenti Biden ndodhet tani në Bruksel për takimet e NATO-s dhe Bashkimit Evropian.