Një klerik me ndikim në Indonezi është dënuar me katër vjet burg për fshehjen e informacionit në lidhje me rezultatin e testit të koronavirusit.

Një panel me tre gjyqtarë mori vendim se Rizieq Shihab kishte gënjyer për rezultatin e testit të COVID-19, gjë që e bëri më të vështirë gjurmimin e kontakteve.

Kurse Shihab tha se e refuzon vendimin dhe se do të ankohet. Gjatë gjyqit, ai deklaroi se ishte i shqetësuar që njoftimi se ishte i sëmurë do të politizohej nga kundërshtarët e tij dhe pretendoi se është viktimë e përndjekjes politike.

Autoritetet kishin bllokuar rrugët që çonin në gjykatë ndërsa mijëra mbështetës të Shihab u përpoqën të organizonin një tubim për të kërkuar lirimin e tij. Policia përdori gaz lotsjellës dhe topa uji për të shpërndarë të grumbulluarit. Qindra prej tyre që nuk pranuan të largoheshin u arrestuan.

Shihab u trajtua për COVID-19 në spital, por zyrtarët e spitalit e mbajtën sekret gjendjen e tij. Në tubimet ku ai ka marrë pjesë ka tërhequr pas vetes edhe turma të mëdha ku s’kishte distancë, shkruan AP.

Ai është mbajtur në burg që nga 13 dhjetori dhe gjyqtarët urdhëruan që koha që ai ka kryer tashmë të zbritet nga dënimi.