Qeveria në mbledhjen e sotme të 81-të e ka shqyrtuar dhe miratuar Informatën për pagesën e pensioneve për muajin qershor 2021 dhe ka angazhuar Fondin për Sigurim Pensional dhe Invalidor të dorëzojë të dhënat për pensionet deri te bankat më së voni deri me 28 qershor të këtij viti. Qeveria ka porositur bankat të sigurojnë që pensionistët të mund të disponojnë me pensionet e qershorit përmes rrjetit të bankomateve dhe rrjetit tregtar nga 29 qershori i vitit 2021.

Siç ka njoftuar Pres shërbimi qeveritar, bankave ju rekomandohet përmes filialeve dhe ekspoziturave të tyre të sigurojnë pagesën e pensioneve për klientë që nuk shfrytëzojnë kartelë, në katër grupe sipas lartësisë së pensionit.

Për pensione në lartësi deri më 11.000 denarë, pagesa do të realizohet më 29 qershor 2021, për pensione nga 11.000 deri 14.000 denarë më 30 qershor 2021. Pensionet prej 14.001 deri më 18.000 denarë do të paguhen më 1 korrik 2021, ndërsa ato mbi 18.001 denarë më 2 korrik 2021.