Negociatorët e Iranit dhe gjashtë fuqive botërore vendosën t’i shtyjnë të dielën bisedimet për ringjalljen e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 dhe të kthehen në kryeqytetet përkatëse për konsultime, njoftoi shefi i delegacionit iranian. Ai tha se vendimi vjen pasi ndasitë mbi çështjet e mbetura për negocim nuk mund të kapërcehen lehtë.

“Aktualisht jemi më pranë se kurrë një marrëveshjeje, por distanca që ekziston mes nesh dhe tejkalimi i saj nuk është një punë e lehtë”, deklaroi nga Vjena për televizionin shtetëtor Iranian Abbas Araqchi.

Mbetet e paqartë se kur do të rinisnin sërish negociatat zyrtare.

Zgjedhjet presidenciale në Iran u fituan nga Ebrahim Raisi, përfaqësues i linjës së ashpër, i cili zëvendëson në këtë detyrë pragmatistin Hassan Rouhani. Megjithatë, zgjedhja e tij nuk ka të ngjarë të minojë përpjekjet e Udhëheqësit Suprem Ajatollah Ali Khamenei, për ringjalljen e paktit bërthamor dhe për daljen nga sanksionet e forta financiare dhe ato mbi naftën.

Në Vjenë janë zhvilluar negociata që prej muajit prill me synimin për të sheshuar mosmarrëveshjet që do të rikthenin Shtetet e Bashkuara sërish tek pakti apo që do të detyronin Iranin t’i përmbahej sërish kushteve të tij. Uashingtoni hoqi dorë nga marrëveshja në vitin 2018, vendim që u shoqërua me vendosjen e sanksioneve ndaj Teheranit.

Të dielën, armiku kryesor i Republikës Islamike, Izraeli, dënoi zgjedhjen e zotit Raisi dhe tha se bëhej fjalë për një “regjim xhelatësh brutalë” me të cilin fuqitë botërore nuk duhet të negociojnë një marrëveshje të re bërthamore.

“Zgjedhja (e tij) është shansi i fundit për fuqitë botërore që të zgjohen para se të kthehen tek marrëveshja bërthamore e të kuptojnë se me kë po negociojnë”, tha Kryeministri izraelit Naftali Bennett në një deklaratë.

Ebrahim Raisi nuk u është përgjigjur kurrë akuzave rreth rolit të tij në atë që Shtetet e Bashkuara dhe grupet e të drejtave të njeriut i kanë quajtur ekzekutime jashtëgjyqësore të mijëra të burgosurve politikë në vitin 1988.