Gjermania ka drejtuar kritika ndaj Hungarisë për pengesat që Budapesti po vendos në politikën e jashtme të Bashkimit Evropian. Hungaria ka bllokuar dy deklarata të BE-së, njërën për Hong Kongun dhe tjetrën për Lindjen e Mesme.

Sekretari i Shtetit në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë, Miguel Berger, tha se politika e jashtme dhe e sigurisë e bllokut po minohet nga dështimi i unitetit.

“Tre javë më parë Hungaria e bllokoi një deklaratë për Lindjen e Mesme. Pastaj ka bllokuar një deklaratë për Hong Kongun. Politika e përbashkët e jashtme dhe e sigurisë (e BE-së v.j) nuk mund të funksionojë mbi bazën e qëndrimeve bllokuese”, tha Berger.

Sipas zyrtarit të lartë gjerman, BE-ja ka nevojë për një “debat serioz në lidhje me mospajtimet brenda bllokut, duke përfshirë edhe rishikimin e votimit të shumicës së kualifikuar”.