Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të nxjerrë vendim për masat e reja të rimëkëmbjes ekonomike, të cilat duhet të përfshijnë edhe strategjinë dalëse nga kriza ekonomike. Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj ka thënë se në muajin prill, sipas shifrave zyrtare shihet një rënie prej mbi 57 mijë vendeve të punës.

“Sipas të dhënave zyrtare të punësimit, argumentohet se rritja e numrit të vendeve të punës është ndikuar direkt nga masat e Programit për Rimëkëmbje Ekonomike. Derisa në vitin 2020 ishin deklaruar 403.709 vende pune, kjo shifër ka arritur në 411.692, në mars të këtij viti. Fatkeqësisht në muajin prill, sipas shifrave zyrtare shihet një rënie prej mbi 57 mijë vendeve të punës. Indikatorët ekonomikë tregojnë se kjo shifër pritet të bie edhe më tutje”, ka shkruar Haradinaj.

Ai ka thënë se në rast se nuk merren masa të reja për rimëkëmbjen ekonomike do të thellohet edhe më shumë kriza ekonomike në vend.

“Duke pas parasysh ndikimin e subvencionimit të bizneseve në krijimin e vendeve të qëndrueshme të punës, i rekomandojmë Qeverisë së Kosovës sa më shpejt të nxjerrë vendim për masat e reja të rimëkëmbjes ekonomike, të cilat duhet të përfshijnë edhe strategjinë dalëse nga kriza ekonomike, në mënyrë që ekonomia e vendit të stabilizohet sa më shpejt. Në të kundërtën vazhdojmë të rrezikojmë thellimin edhe të mëtejshëm të krizës”.