Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka propozuar tri pika Qeverisë së Kosovës për shënimin e kufirit me Malin e Zi. Ai tha se nëse shteti fqinj nuk ka gatishmëri për korrigjimin e kufirin në pjesën e Qakorrit dhe Kullës, çështja të kalojë në arbitrazh. Gjatë seancës plenare, Haradinaj i cili është edhe deputeti i Kuvendit të Kosovës tha se ekzekutivi duhet sa më shpejt të formojë Komisionin Shtetëror për shënimin e kufirit.

“Qeveria e Kosovës të formojë Komisionin Shtetëror për shënimin e kufirit. Ai komision nuk është ekzistues, ka pasur shkarkime dhe dorëheqje. Ju duhet ta krijoni këtë komision për të mos lënë vakum dhe qeveria të mos ndodhet në befasi. Ky komision duhet të jetë funksional. Ju premtoj se si AAK ju përkrahim qoftë me ekspertizave apo punën që i bën ky komision. Arsyeja që duhet të krijohet ky komision është se nuk ka ndodhur demarkimi, nuk është i shënuar kufiri me Malin e ZI. E di që jam kritikuar dhe keni thënë që i kemi falë dhe marrë tokë, por duhet ta kuptoni se në procedurë të punës, nuk ka dalë komisioni i Kosovës dhe Malit të Zi për t’i vendosur gurët. Kufiri që është sot, është kufiri që e kemi gjetur edhe para marrëveshjes”, tha ai.