Kjo situatë shtron nevojën imediate për një nismë konstruktive të grumbullimit të forcave intelektuale dhe politike më liberale, si një “opsion opozitar” i veprimit politik, që do t’i kundërvihej këtij rrugëtim politik të BDI-së, i cili nuk do mend se ka mbështetjen edhe të Uashingtonit edhe Brukselit zyrtar

Nga Destan Jonuzi

Përgjatë gjithë viteve nga pavarësia e Maqedonisë e këndej vendi ka qenë i qeverisur nga dy partitë tanimë të etabluara në bllokun politik maqedonas, LSDM dhe VMRO-DPMNE. Perceptimi i qytetarëve është se qeverisja e tyre shumë pak dallon mes tyre, në nuanca të vogla. Ndërsa sipas njohësve të zhvillimeve politike, të dyja partitë të koordinuara njëra me tjetrën me fanatizëm e kanë ruajtur primatin e të qenit të mëdhenj.

Edhe pse ka kohë që në bllokun politik maqedonas flitet për një opsion të tretë politik, madje edhe kishte tentime për ta krijuar atë por, pa sukses. E vetmja që nga themeli në vitin 2002 e këndej që ka pësuar transformime të kohës është BDI e Ali Ahmetit.

Këtë zbrazëtirë politike të kohës me sa duket e ka nuhatur mirë kreu i BDI-së Ahmeti dhe nga sot me opsionin e gjelbër, si opsion të rrugëtimit të tij dhe partisë që drejton në të ardhmen. Ky opsion përveç se paraqet një risi në politikën shqiptare, ai madje parqet edhe kundër aksion politik të fushatës së LSDM-së dhe Zoran Zaevit “Shoqëri për të gjithë”. Koncepti i gjelbër i Ahmetit bashkon interesat e përbashkëta të gjithë qytetarëve pa dallim përkatësie etnike për ambient të pastër dhe të gjelbër jetësor. Nga këtu me këtë program politik BDI e Ali Ahmetit përveç votave të qytetarëve shqiptarë, në zgjedhjet e ardhshme lokale mund të arkëtojë edhe vota të komuniteteve tjera etnike.

“BDI si një organizatë politike shqiptare, madje edhe më e suksesshme ndër shqiptarët në historinë e Maqedonisë së Veriut, lindi si nevojë e kohës, si forcë e obliguar nga qytetarët që të sjell barazi nëpërmjet të zbatimit të plotë të Marrëveshjes paqësore të Ohrit. Një vajze e re, Greta Tunberg, përshkoi botën me alarmin për ndryshimet klimatike e politikën ambientaliste dhe të gjithë ia hapën derën. Erdhi koha që edhe ne ta hapim derën, krahët dhe të përqafojmë këto politika për një të ardhme të gjelbër, të sigurt, të zhvilluar dhe të shëndosh” ka deklaruar Ahmeti mes tjerash në promovimin e programit të ri politik të BDI-së, “Për një të ardhme të gjelbër”.

Ndërkohë opozitarët shqiptarë, në vend se të ofertave për një jetë më të mirë, ekonomi, punësime, mundohen që ta sfidojnë BDI-në me politika etnike, me retorikë tanimë të dëgjuar për padrejtësi qytetare, qytetarë të rendit të dytë etj. Për këtë arsye, ende jemi larg betejave me oferta kualitative për jetë, ambient të pastër jetësor, ashtu siç po gatuhet politika e BDI-së.

Kjo situatë shtron nevojën imediate për një nismë konstruktive të grumbullimit të forcave intelektuale dhe politike më liberale, si një “opsion opozitar” i veprimit politik, që do t’i kundërvihej këtij rrugëtim politik të BDI-së, i cili nuk do mend se ka mbështetjen edhe të Uashingtonit edhe Brukselit zyrtar.

Në tre ciklet e fundit zgjedhore (2011, 2014 dhe 2016) koalicionet e dy partive maqedonase kanë fituar 98, 95 dhe 100 vende në parlament. Raporti mes LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së ishte 56:42, 61:34 dhe 51:49. Edhe përkundër këtyre rezultateve, është e pamundur që në Maqedoninë e Veriut të ketë qeveri pa partinë fituese në bllokun politik shqiptar. Pas së vitit 2001 e këndej, me formimin e BDI-së, kjo parti në të gjitha ciklet zgjedhore ka dalë fituese.