Kompania Facebook tha se do të pezullojë llogarinë e ish-Presidentit Donald Trump për dy vjet pas gjetjeve se ai nxiti dhunë përpara sulmit të dhunshëm të 6 janarit.

“Në fund të kësaj periudhe, ne do të kërkojmë nga ekspertët të vlerësojnë nëse rreziku ndaj sigurisë publike është ulur. Ne do të vlerësojmë faktorët e jashtëm, përfshirë rastet e dhunës, kufizimet në tubimet paqësore dhe shenja të tjerë për trazira civile”, tha të premten përmes një postimi Nick Clegg, nënpresident i kompanisë për çështjet globale.

Në një njoftim për shtyp, ish-Presidenti Trump e quajti vendimin “një fyerje”.

“Ata nuk duhet të lejohen të shpëtojnë pa u ndëshkuar nga ky censurim dhe mbyllje e gojës. Në fund të fundit ne do të fitojmë. Vendi ynë nuk mund ta durojë më këtë abuzim!”, thuhet në njoftim për shtyp.

Bllokimi i llogarisë së zotit Trump në Facebook nënkupton që të tjerë mund të lexojnë dhe të komentojnë në postimet e kaluara që janë bërë aty, por Trump dhe administruesit e tjerë të kësaj llogarie nuk janë në gjendje të postojnë materiale të reja. Nga ana tjetër Twitteri, e ka ndaluar përgjithmonë Trump nga qasja në shërbimet e saj dhe në platformën e kompanisë nuk ka asnjë gjurmë të llogarisë së tij.

Facebooku tha se do të rriste ndëshkimet për figurat publike gjatë kohës së trazirave civile dhe dhunës. Në një tabelë të koduar me ngjyra në postimin e saj të premten, kompania tha se ata që shkelin politikat e saj gjatë kësaj kohe mund të kufizohen nga postimi për një periudhë nga një muaj (të verdhë) deri në dy vite (të kuq).

Shkeljet e ardhshme, tha Facebooku, do të plotësohen me “ndëshkime më të larta, deri në pezullime të përhershme”.

Facebooku gjithashtu planifikon t’i japë fund një politike të debatueshme të mbështetur nga Presidenti i saj Mark Zuckerberg që përjashton automatikisht politikanët nga rregullat që ndalojnë gjuhën e urrejtjes dhe abuzimin. Kompania ka thënë se nuk e ka zbatuar kurrë këtë politikë ndaj Trump.

Gjiganti i mediave sociale tha të premten se ka në plan megjithatë ta zbatojë këtë përjashtim, për ato postime “që përbëjnë lajm” e janë në interes të publikut edhe nëse ai shkel rregullat e Facebookut. Por kompania tha se do t’i bëjë publike rastet në të cilat do të zbatojë përjashtimin mbi një postim./ voa