Detaje të tjera bëhen me dije nga ekzekutimi i vëllezërve Besmir e Viktor Haxhia në prill 2020 në Durrës. Mes personave të shoqëruar për të dëshmuar, ishte edhe Besian Xhixha. SPAK-u kishte të dhëna sipas rrëfimit të të penduarit të drejtësisë, Klevis Alla, se Xhixha dhe miku i tij Enver Diva, ishin pajtuar nga i shumëkërkuari Nuredin Dumani, për të vrarë Besmir Haxhinë.

I penduari tha se ata nuk e vunë në jetë planin, për shkak se njëri prej tyre u infektua me Covid-19. Besmir Xhixha që tashmë ndodhet para hekurave bashkë me mikun e tij Enver Diva, me akuzën se krijoi kushte për vrasje të kryer në bashkëpunim, mohoi para hetuesve të kishte njohje me Nuredin Dumanin.
“Nuredin Dumanin nuk e njoh dhe nuk kam dëgjuar asnjëherë emrin e tij dhe nuk ka sesi të kem kontakte telefonike me të”, është shprehur Xhixha. Ai ka mohuar të ketë njohje dhe me Talo Çelën, apo të penduarin e drejtësisë Klevis Alla. Ndërsa iu konfirmoi hetuesve se kishte njohje me Enver Divën dhe se ky i fundit kishte kaluar pranverën e 2020 Covid-19.

Por, alibia e ngritur nga i dyshuari u rrëzua, pasi hetuesit e SPAK-ut zbuluan kontakte telefonike mes tij dhe të shumëkërkuarit Dumani. I penduari foli për takime mes të shumëkërkuarit dhe Besian Xhixhës, si dhe për faktin që ai vetë i kishte shoqëruar dy krutanët te shtëpia e Besmir Haxhisë, për të studiuar terrenin dhe morën përsipër kryerjen e vrasjes.

Në vendimin e Gjykatës thuhet ndër të tjera se: “Deklarimet e Besian Xhixhës, sipas të cilave ai nuk e njeh fare Dumanin, nuk gjejnë mbështetje në deklarimet e të hetuarit Klevis Alla.

Nga analiza e tabulateve telefonike rezulton se ata njihen dhe kanë pasur 4 komunikime me njëri-tjetrin nga datat 16, 18, 19 dhe 27 prill 2020. Referuar bisedës së datës 19 prill, Nuredini telefonohet nga Besian Xhixha dhe kjo është data kur Enver Diva ka rezultuar pozitiv me Covid-19. Pra, ai e ka njoftuar Nuredinin rreth pamundësisë se Enverit për të kryer vrasjen e porositur me pagesë të Besmir Haxhisë”.

Sipas SPAKut, kur dështuan për ta ekzekutuar Haxhinë me vrasës me pagesë, atëherë Talo Çela, Nuredin Dumani, Altin Ndoci e Klevis Alla, pasditen e 27 prillit u organizuan dhe qëlluan për vdekje dy vëllezërit pranë tregut të makinave në Shënavlash të Durrësit.
Sipas të penduarit, motivi i vrasjes ishte përplasja e pjesëtarëve të grupit për lekët e grabitura në barkun e një avioni në Aeroportin “Nenë Tereza”.