Kryetari i Kuvendit të Serbisë, Ivica Daçiq, beson se Rusia dhe Kina, si anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara përfundimisht do të duhet të përfshihen në zgjidhjen e çështjes së Kosovës.

“Ju keni parë që ekziston një inflacion i përgjithshëm i ideve të ndryshme kur bëhet fjalë për Kosovën, non-paper dhe gjithçka tjetër. Një konstante sigurisht që do të mbetet, dhe kjo është që presioni do të vazhdojë të bëhet ndaj Serbisë për të pranuar pavarësinë e shpallur në mënyrë të njëanshme të Kosovës përmes kësaj formulimi të të ashtuquajturës njohja reciproke, e cila është absolutisht e papranueshme për ne”, tha Daçiq nga Rusia për “Sputnik”, raporton Tanjug.

Lidhur me raportimet se Shtetet e Bashkuara duan ndërmjetës në dialogun Kosovë-Serbi ai vlerëson se ndoshta do të ketë ide të ndryshme në lidhje me negociatorë të ndryshëm.

“Tani për tani, dialogu vazhdon në Bruksel, por sigurisht që verifikimi përfundimtar i gjithçkaje, nëse ka ndonjë përparim, do të duhet të jepet nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, kështu që në fund të gjitha ato vende të përmendura do të duhet të përfshihen në verifikimin përfundimtar të asaj marrëveshjeje”, shtoi ai.