Ish-ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku, ka folur për përplasjen që e kishte me ish-kryeministrin Ramush Haradinaj i cili e kishte akuzuar për përfshirje në idenë e ndarjes së Kosovës.

Ajo ka thënë me bindje të plotë se në Washington asnjëherë nuk ka pasë thika mbi harta.

“Unë i jam përgjigjur publikisht. Ka qenë e parëndomtë që një kryeministër ta akuzojë një ambasadore në detyrë dhe edhe më e parëndomtë që amabasadorja t’i kundërpërgjigjet kryeministrit të vet. Dialogu nuk ka ndodhur në Washington – ai është bërë në Bruksel. Nuk kam qenë e përfshirë në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë”.

“Nuk jam marrë me çështjen e dialogut deri në momentin kur është diskutuar Marrëveshja e Washingtonit pas emërimit të Richard Grenell si përfaqësues i presidentit Donald Trump. Qasja e administratës amerikane ka qenë që me çdo kusht të arrihet një marrëveshje që mbulon bashkëpunimin ekonomik. Çështjet politike, edhe ajo u pa në rezultatin final, nuk kanë qenë të prekura. Nuk ka pasë thika mbi harta. Në Washington asnjëherë nuk ka pasë thika mbi harta. Nuk u diskutua kjo ide [shkëmbimi i territoreve] në prezencën time, e goxha vështirë ka qenë ta ngrisësh një çështje në Washington pa prezencën time”.

Çitaku, në Rubikon të Klan Kosovës, ka thënë se dallon shumë ajo çka Washingtoni dhe Brukseli e shohin si finale për dialogun e vështirë mes Kosovës dhe Serbisë.

“Ajo çfarë ka insistuar dhe insiston Washingtoni dhe ka një vazhdimësi këtu, siç kemi parë edhe më herët, është që Kosova dhe Serbia duhet të ulen dhe bashkarisht të prodhojnë një marrëveshje përfundimtare. Çka është përfundimtare për Washingtonin nuk është edhe për Brukselin. Washingtoni kërkon njohjen reciproke në mënyrë të prerë dhe njohja reciproke duhet të jetë produkti final, sepse Kosova nuk mund ta përballojë një status-quo të re. Ajo çfarë po shoh unë në Bruksel është më shumë një marrëveshje e përkohshme. A keni dëgjuar ndonjëherë qartë nga Brukseli se njohja reciproke duhet të jetë finalja e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë?”.

Ish-diplomatja kosovare ka thënë se roli i SHBA-së në këtë proces është vendimtar, derisa ka edhe një rekomandim, siç e quan ajo dashamirës, për Qeverinë Kurti.

“Qeveria e Kosovës në vend se të debatojë publikisht me Washingtonin duhet të insistojë, ndoshta po e bëjnë, duhet me insistime të kërkojë që Administata Biden të emërojë një të dërguar të posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi. Është këshillë shumë dashamirëse. Qeveria duhet ta kuptojë që koha nuk punon në favorin tonë, zhagitja i shkon për shtati Serbisë dhe oponentëve të Pavarësisë së Kosovës. Ne duhet të insistojmë që kjo marrëveshje të arrihet shpejt”.

Ajo e ka kritikuar qasjen e kryeministrit Albin Kurti karshi dialogut Kosovë-Serbi të cilin nuk e sheh si prioritetin e parë.

“Kryeministri Kurti ka deklaruar vetë që nuk e sheh me urgjencë dialogun dhe nuk e sheh si prioritet. Unë po them që kjo do të ishte gabim. Kryeministri Kurti ka mandat të plotë, prej çka po frikësohet? Kryeministri Kurti ka fituar mandat të jashtëzakonshëm dhe ai duhet ta përdorë këtë mandat të fuqishëm dhe në këtë pikë edhe opozita duhet ta mbështesë. Vetë fakti që më shumë po bën lojëra semantike sesa trajtim serioz të kësaj çështje më lë të nënkuptoj që kryeministri po ka frikë ose drojë që t’i qaset seriozisht”.

Çitaku ka deklaruar se është fakt i rëndësishëm që SHBA-të e konsiderojnë Serbinë partner.

“Në Washington Serbia shihet si partner. Edhe me këtë administratë, edhe me atë përpara, por edhe të Obamës. Normalizimi i marrëdhënieve mes Washingtonit dhe Beogradit ka filluar me Administratën Obama kur atëherë zëvendëspresidenti Joe Biden kishte vizituar Beogradin. Ne mund të na duket e drejtë ose e padrejtë, por këto janë fakte. Po ashtu edhe te një pjesë e madhe e vendeve të BE-së ka një mendim që Serbia është ndëshkuar mjaftueshëm. Unë kam pasë këto diskutime dhe shumë prej tyre më kanë thënë “Ne e kemi bombarduar Serbinë”. Unë po ndez alarmin se po shoh komoditet dhe nuk po shoh gatishmëri që të merret seriozisht kjo problematikë”.