Më 5 qershor fillon matura shtetërore për mbi 15 mijë maturantë në Maqedoni. Nxënësit e vitit të katërt në arsimin e mesëm, do të testohen fillimisht në lëndën e gjuhës amë, njëri ndër katër provimet që duhet t’i kalojnë.

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës Milla Carovska, me këtë rast tha se janë të përgatitur për realizimin me sukses të maturës shtetërore.

“Janë miratuar të gjitha protokollet sipas të cilëve duhet të realizohet matura shtetërore në kushte të pandemisë, me qëllim që të mbrohet shëndeti i nxënësve, mësuesve dhe të tjerëve. Është planifikuar që në klasë të jenë më së shumti 15 nxënës, diku edhe më pak varësisht nga kushtet. Ndërkohë mbi 2000 testues janë vaksinuar me të dy dozat e vaksinës kundër COVID-19”, tha Carovska.

Pas kalimit të provimit të parë obligativ ekstern më 5 qershor, vijon edhe provimi i dytë ekstern, i cili është zgjedhor.

Kurse provimet interne do të organizohen në fund të qershorit, sipas orarit që do ta krijojnë vetë shkollat.