Presidenti bullgar Rumen Radev i cili sot në Sofje ishte nikoqir i Presidentit të Portugalisë, Marselo De Souza, kërkoi garanci gjatë zgjerimit të Bashkimit Evropian me Maqedoninë e Veriut. Mysafiri nga Portugalia u angazhua për dialog pa paragjykime dhe për mbështetje të zgjerimit të BE-së me vendet e Ballkanit perëndimor.

Detyra më e rëndësishme është që të kthehet dialogu në të gjitha nivelet në mes Sofjes dhe Shkupit, deklaroi Presidenti bullgar Rumen Radev, pas një takimi me Presidentin e Portugalisë De Sousa, duke shtuar se Bullgaria duhet të ketë garanca adekuate para se ta tërheq veton ndaj Maqedonisë së Veriut.

“Unë shoh hapje të perspektivës për dialog intensiv, për përpunimin e udhërrëfyesve të duhur, dokumenteve dhe marrëdhënieve në të gjitha nivelet strukturore, që të japin garanci të përshtatshme, më së shumti për ne, që të jemi të bindur se procesi i zgjerimit do të jetë efikas, stabil dhe i pakthyeshëm,” deklaroi Rumen Radev, president i Bullgarisë.

Prseidenti nga Portugalia, vendi kryesues me BE-në, e cila para pak kohësh ka miratuar një propozim kompromisi si garanci për pikat kyçe të Sofjes dhe Shkupit, ka kërkuar mbështetje për zgjerimin, pa paragjykime.

“Për këtë arsye temën e ndjekim me shumë kujdes, posaçërisht përpjekjet e posaçme për vendosjen e dialogut në mes Bullgarisë dhe fqinjit të saj, Maqedonisë së Veriut. Presidenti Radev e di se përpiqemi të ndihmojmë, jo vetëm me deklarata publike por edhe me hapa konkretë që janë të dobishëm për dialogun. Zakonisht kështu veprojnë miqtë dhe partnerët kur të dyja palët dëshirojnë t’i përafrojnë pozicionet,” deklaroi Marselo De Souza, president i Portugalisë.

Kryeministri Zoran Zaev sot madje e përdori fjalën “I lusim fqinjët tanë” që të mos e pengojnë rrugën evropiane të Maqedonisë së Veriut.

“Të lus për zgjidhje në baza pragmatike, duke e ditur se ashkush nuk dëshiron të shkelë mbi identitetin dhe gjuhën maqedonase. Kështu edhe do të jetë, por zgjidhjen duhet ta gjejmë ne – dy vendet mike. Bëjmë gjithcka dhe me të vërtetë kemi një bazë të mirë me propozimin portugez që të gjejmë një zgjidhje me Bullgarinë. Nëse kemi sukses më 23 Qershor duhet ta kemi seancën e parë ndërqeveritare”, tha Zaev.

Kryeministri Zaev megjithatë shprehu keqardhje që në Sofje për momentin ka qeveri teknike dhe jo politike, e cila do të mbante përgjegjësi për vendimin eventual në lidhje me kontestin me Maqedoninë e Veriut, duke sugjeruar se në qoftë se kjo nuk ndodh më 22 qershor, të jetë në muajin gusht ose shtator.