NGA MERXHAN JAKUPI
Bota islame, sidomos ajo arabe, pas pranverës arabe është ndarë, është shkatërruar, falimentuar moralisht dhe shpirtërisht. Ajo i ngjan Evropës mesjetare, luftërave të krishterë me të krishterë, luftë sektesh, fraksionesh dhe gjakderdhje me përmasa tragjike që zgjati më shumë se gjysmë shekulli. Më në fund, evropianët nën udhëheqjen e klerikut heretik, Luter King, lindi fraksioni protestant ose reformues. Fatkeqësisht, në botën islame në fillim të shekullit të nëntëmbëdhjetë u hap fraksioni ose medh’hebi “Vehabist”. Bota islame nuk e pati fatin që ky fraksion vehabist, nën ombrellën islame të vazhdojë reformat, sikur fraksioni protestant reformues, nën udhëheqjen e liderit protestant, Luter King, që e nxori botën perëndimore nga errësira dhe dekadenca. Fraksioni vehabist edhe pse brenda ka edhe rryma liberale, mbetet fraksion konservativ, radikal, ortodoks dhe arkaik. Ky fraksion edhe më tej e synoi dhe e solli botën islame në dekadencë.
ISSIS ËSHTË NJË IDEOLOGJI

Filozofi Isak Berlin shkruan që komunizmi lindi si fraksion sekti nga traditat iluministe, liberale, evropiane, socialiste internacionale dhe social-demokratike. Ky sekt premtoi parajsë në këtë botë (Vehabistët). ISSIS është i dalë nga sektet ekstreme radikale puritano – beduine. Këto organizata radikale dhe terroriste, në emër dhe nën petkun e islamit e kanë përgjakur historinë e botës islame. Kjo ideologji, frymëzim dhe doktrinë, është në kundërshtim me doktrinën islame, është në disparitet dhe diversitet me islamin si fe e paqes, tolerancës dhe urtësisë. Këta profetë të rremë që kanë shpallur kalifatin utopik, janë një makineri që kryejnë vrasje në masë, gjenocid dhe dhunojnë diversitetin fetar, politik dhe kulturor.
Shtrohet pyetja: Kush do të jetojë në një botë ҫnjerëzore, të degjeneruar moralisht dhe shpirtërisht, kur nuk ka pasur në Lindjen e Mesme kaq shumë armë, gjakderdhje, tmerre, në duart e grupeve të papërgjegjshme, që i thyejnë rregullat dhe etikën e luftërave që ka pasur bota islame deri tani. Kush do të jetojë në këtë tokë të djegur, në këtë skëterrë, ferr dhe apokalips. Më në fund edhe djalli tallet me ta. Ai thotë, në qoftë se këta demonë do ta pushtojnë ferrin, unë do të ikë nga ferri dhe nuk do jem aleat i tyre. Historiografi, studiuesi dhe eksperti i Lindjes së Mesme në Universitetin e Oxfordit (Majkëll Engold) shkruan: Në fillim të shekullit shtatë, në Gadishullin Arabik nën udhëheqjen e profetit Muhammed, lindi renesanca. Ishte islami që brenda një shekulli u hap në tre kontinente. Profeti Muhammed, si doktrinë kishte racionalen, spiritualen dhe universalen. Vallë, sikur islami që kultivoi paqe, të vepronte dhe të kishte si doktrinë dhunën, krimin, vrasjen sikur dhe ISSIS, sigurisht se do të ngelej në margjina dhe për disa dekada do shuhej e do shteronte edhe në Gadishullin Arabik.

BOTA ISLAME KA NEVOJË PËR PAJTIM

Mbreti Saud, i ndjeri, para disa vitesh, në një samit tha me urrejtje patologjike, me injorancë dhe cinizëm, që rreziku më i madh i botës – islami, i kanoset më shumë nga shiitizmi sesa nga shteti çifut, Izraeli. Bota islame ka nevojë për pajtim ndërmjet dy konfesioneve, sunit dhe shiit. Nuk mund të kthehet kalifati tradicional, perandoritë dhe dinastitë. Bërthamën dhe boshtin e botës islame e përbënin arabët, persianët dhe turqit. Janë trashëgimtarë të ish-perandorive dhe monarkive Enevite, Ahbazite dhe Osmane. Këto tre kombe të mëdha, në të ardhmen duhej të jenë aktorët kryesorë, të paqes, lirisë dhe bashkimit.
Shtrohet pyetje: A ka nevojë bota islame për një renesancë, rilindje?
E vetmja platformë, projekt, vizion për të ardhmen, për botën islame, modeli është imitimi evropian.
Ky është një koncept dhe projekt madhështor për një shtëpi të përbashkët të shteteve myslimane. Kjo për momentin tingëllon utopike dhe iluzioniste. Bazamenti dhe gurthemeli janë: Liga Arabe dhe Organizata e Shteteve Myslimane. Ky vizion dhe projekt është vështirë për t’u arritur, mund të zgjasë deri në fund të shekullit njëzet e një. Evropa dhe popujt evropianë, kanë pasur një të kaluar dhe histori të hidhur, më në fund janë dy luftëra botërore, me mbi gjashtëdhjetë milionë të vrarë. Kontinenti u shkatërrua dhe u nda në dy pole. Në fund, Evropa me shumë vuajtje dhe peripeci arriti paqen, që nuk ishte e lehtë. Bota islame duhet të nxjerrë leksione dhe shembuj nga popujt evropianë.
Zgjerimi i vërtetë në këtë kontekst filloi me demokratizimin, hapjen e shoqërive, pluralizmin, idenë krijuese në shumë fusha, hapjen e kufijve, qarkullimin e lirë të njerëzve dhe mallrave. Njerëzimi në të gjithë epokat, deri tani nuk ka shpikur si ide një qeverisje më të mirë se demokracia perëndimore. Botës islame dhe gjithë popujve që jetojnë, u duhej një zgjidhje adekuate. Paqe, liri dhe bashkim, t’i luftojnë despotët famëkeq. Të kultivojnë vlera në një shoqëri civile. Samuel Huntington, në veprën “Përplasjet e qytetërimeve” shkruan: Islami nuk është kundër modernizimit. Duke vuajtur identitetin kombëtar, etnik, kulturor dhe fetar, për një shoqëri të hapur dhe civile, që çon drejt paqes.