Bashkimi Evropian njoftoi të premten se po ndalon të gjitha fluturimet nga Bjellorusia që të fluturojnë mbi hapësirën ajrore të BE-së, duke u mohuar atyre edhe qasjen në të gjitha aeroportet e BE-së.

Përmes një deklarate, zyrtarët e BE-së thanë se të gjithë vendeve anëtare të BE-së do t’u kërkohet që t’ua mohojnë lejen për t’u ulur, ngritur dhe për të fluturuar mbi territoret e tyre çdo avioni që operohet nga transportuesit ajrorë bjellorusë. Ndalimi do të hyjë në fuqi në mesnatën e së premtes.

Masa është një përgjigje ndaj incidentit të 23 majit në të cilin Bjellorusia përdori avionët ushtarakë për të urdhëruar uljen me forcë të një avioni të kompanisë irlandeze Ryanair që po përshkonte hapësirën ajrore të Bjellorusisë në fluturimin drejt Lituanisë. Zyrtarët e Bjellorusisë morën gazetarin e opozitës Raman Pratasevich nga aeroplani dhe ende po e mbajnë atë nën arrest.

Sipas agjencisë rajonale e trafikut ajror “Eurocontrol”, rreth 400 aeroplanë civilë zakonisht ndjekin rrugët ajrore që kalojnë mbi Bjellorusi. Disa kompani ajrore evropiane si Lufthansa, SAS dhe Air France kanë njoftuar tashmë se do të ndalojnë fluturimet mbi hapësirën e ajrore të Bjellorusisë.

Raman Pratasevich u shfaq të enjten në televizionin shtetëror të Bjellorusisë, duke rrëfyer me lot për rolin e tij në protestën anti-qeveritare në një intervistë që opozita tha se ishte bërë me detyrim.

Në intervistë, Pratasevich pranoi se kishte bërë komplot për të rrëzuar Presidentin Alexander Lukashenko duke organizuar “trazira” dhe tërhoqi kritikat e mëparshme ndaj udhëheqësit jetëgjatë të vendit.

Zyra e Presidentit Lukashenko nuk iu përgjigj menjëherë akuzave se ajo kishte detyruar zotin Prastevich të paraqitej në telvizionin shtetëror.