BDI është e parti politike e zhvillimit dhe e vendeve të punës edhe atë tashmë përmes agjendës së gjelbër, BDI përveç se për barazinë, zhvillimin dhe frymën euroatlantike, kujdeset edhe për ajrin, për ujin, për tokën, për mjedisin e përbashkët si një nga parakushtet për zhvillim dhe jetë cilësore. Kështu u shpreh kryetari i Bashkimit Demokratik Ali Ahmeti gjatë fjalimit të tij me rastin e 19 vjetorit të themelimit të partisë që ai udhëheq.

“Ju që jeni këtu, anëtarët tanë, votuesit tanë, por jo vetëm, gati se edhe të gjithë qytetarët e vendit tonë e njohin konsistencën tonë, qëndrueshmërinë e politikave tona dhe që të gjithë e dinë që atë që e themi edhe e realizojmë. Për 19 vite jemi shtyllë e stabilitetit, paqes, sigurisë, barazisë dhe vazhdimësisë dhe realizimit të ëndrrës euroatlantike. Nuk u lëkundëm nga qëllimet tona asnjëherë dhe për asnjë çmim”, u shpreh Ahmeti.

Ahmeti gjithashtu me këtë rast ka thënë se sot e tutje do të bëhemi edhe shtyllë e jetës së përbashkët dhe cilësore, ashtu siç i vëmë drynin Jugohromit si ndotës më i madh i Pollogut, apo siç e shndërruam Malin Sharr në park kombëtar.