Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim me rastin e shënimit të 19 vjetorit të partisë dhe me rastin e 5 Qershorit, Ditës Botërore e Mjedisit shpalosi dhe platformën e re të partisë që ai udhëheq.

Ai me këtë rast ka thënë se agjenda e gjelbër nënkupton jetë cilësore, vende pune dhe zhvillim, në veçanti në periudhën pas pandemisë dhe ndikimit negativ të saj mbi ekonominë, vendet e punës, shëndetin dhe jetën në përgjithësi.

“Paratë e dedikuara në agjendën e gjelbër janë investim sepse mjedisi dhe ekonomia janë të ndërlidhura, janë investim mbi shëndetin publik, në mbrojtjen e ambientit, në çasjen në ujë dhe ajër të pastër, në pastrim të deponive, në reduktimin e emetimeve të gazrave, rrugë dhe hekurudhë cilësore, gazifikim dhe energji të gjelbër, ndikon edhe në cilësinë dhe rrjedhimisht edhe në kohëzgjatjen e jetës tonë, në shëndetin mendor, në parandalimin e katastrofave që do të kushtojnë shumë më tepër, shpesh edhe me jetë”, deklaroi Ahmeti.

Sot, cenimi i agjendës së gjelbër dhe ndotja e mjedisit jetësor është kërcënim ndaj sigurisë, siç është edhe korrupsioni dhe krimi i organizuar, prandaj dhe qeveria, komunat dhe të gjitha institucionet tona duhet të bashkëngjiten dhe ne do të angazhohemi për këtë, të bëhemi lider rajonal dhe europian në politikat e agjendës së gjelbër.