Rishikimi i buxhetit shtetëror i solli 3 milion euro shtesë Agjencisë për Siguri Kombëtare. Policia sekrete, tani ka para për të blerë godinë të re për t’u ndarë fizikisht nga Ministria e Brendshme. Pyetëm në Qeveri se kur mund të pritet që ASK-ja të fillojë dhe të përfundojë zhvendosjen në zyra të reja? Nuk na dhanë përgjigje konkrete. Nga ekzekutivi vetëm thanë se zhvendosja është shtyrë për arsye objektive.

Qeveria

“Procedura për zhvendosjen e Agjencisë për Siguri Kombëtare në hapësirat e reja zgjat më shumë se koha e planifikuar, duke pasur parasysh nevojën për ridestinim të një pjese të mjeteve financiare për menaxhim me pasojat e Kovid-19”.

Drejtori i Agjencisë, Viktor Dimovski për Alsat theksoi se zhvendosja duhet të mbarojë sa më shpejtë, por nuk saktësoi se kur policia sekrete do të akomodohet në hapësirën që gjendet në afërsi të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë.

“Paratë janë siguruar. Shpresojmë sa më shpejtë të blihet hapësira dhe Agjencia të zhvendoset në hapësirat e reja”.

Alsat shkroi vitin e kaluar për zhvendosjen e ish-DSK-së, e cila pushoi së ekzistuari, dhe në vend të kësaj, për këtë funksion u formua Agjencia për Siguri Kombëtare. Verën e kaluar, pretendimet ishin se deri në fund të vitit 2020 mund të pritet të përfundojë zhvendosja nga Ministria e Brendshme. Por, sipas Agjencisë, procedura ishte bllokuar për shkak të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe formimit të qeverisë së re. Kriza e koronës shkurtoi buxhetin e Agjencisë për gjysmë milioni euro vitin e kaluar. Ky institucion u themelua me shpërbërjen e DSK-së. Me Ligj u themelua më 1 shtator 2019, me kombinimin e disa ligjeve – Ligjin për ASK-në, Ligjin për Mbikëqyrjen e Komunikimeve Elektronike, në bazë të të cilave u formua edhe Agjencia Teknike Operative dhe Ligjin për Koordinimin e Shërbimeve të Inteligjencës dhe Sigurisë.