“Negociatat me Bashkimin Evropian vendi do t’i nis në qershor. Nëse nuk mundet në qershor, do t’i nis në gusht a shtator. Nëse nuk mundet as në shtator, negociatat do të nisin në dhjetor.” Këto paralajmërime të kryeministrit, Zaev dhe ministrit të jashtëm, Osmani për njohësit e diplomacisë janë skajshmërisht joserioze. Sipas kreut të Këshillit të ambasadorëve, Muhamed Halili është koha që t’i jepet fund praktikës së komunikimit me afate, përderisa vendi nuk ka asnjë garanci rreth fillimit të negociatave.

Loja me data nuk është e pëlqyeshme tani, sepse të gjithë e dinë se në Samitin e qershorit nuk do të del asgjë pozitive…në gusht nuk ka gjëra që mund të ndodhin brenda BE-së, sepse të gjithë diplomatët shkojnë në pushime verore, nuk ka ndonjë samit të posaçëm për këtë çështje…Në shtator nuk e di ku janë argumentet, sepse asnjëherë nuk janë mbajtur në shtator samite të llojit të tillë… mund të jetë eventualisht dhjetori i këtij viti si një datë maksimale jo për zgjidhjen e çështjes por për hapjen e dyerve për t’u mbajtur konferenca e parë ndër-qeveritare Maqedoni-BE por edhe ajo nuk është shumë e sigurtë.”- deklaroi Muhamed Halili, Këshilli i ambasadorëve.

Ish ambasadori, Risto Nikovski thekson se përmes kumtimit joreal të afateve, jo vetëm që krijohet optimizëm i pabazë tek qytetarët e më pas edhe dëshpërim, por duke pranuar se nxiton, Shkupi e dobëson pozicionin e saj përballë Sofjes.

Në Maqedoni bëhet një obsesion i panevojshëm me datën e negociatave. Faktikisht, është një mjet politik me të cilin manipulohet populli. Në Bullgari shumë qartë edhe Presidenti e edhe institucionet teknike kanë bërë të qartë se kanë Deklratë të miratuar në Parlament, që nuk lejon të dilet jashtë kornizave që parashikon. Institucionet teknike njëkohësisht kanë thënë se nuk kanë mandate për vendime të tjera, pos që t’i organizojnë zgjedhjet. Kjo tregon se mundësitë tona që t’i fillojmë negociatat në qershor, në vjeshtë apo dhjetor janë kurrëfare, nuk janë reale.”- pohoi Risto Nikovski, Ish ambasador.

Ndryshe, pushteti hodhi poshtë akuzat e opozitës për marrëveshje sekrete me Sofjen, të dëmshme për vendin. Sipas autoriteteve, ka negociata në nivele të ndryshme mbi propozimin portugez, si bazë e mirë për zhbllokimin e nisjes së negociatave mes vendit e BE-së. Megjithatë kanë pranuar se një gjë e tillë do të jetë e mundur vetëm nëse Sofja ka mandat politik për ta dhënë dritën jeshile, nëse arrihet marrëveshje rreth përmbajtjes së Udhërrëfyesit dhe pozicionit të Udhërrëfyesit në raport me kornizën negociuese.