Një autoritet rajonal në Kanada ka vaksinuar 12 fëmijë me vaksinën Moderna, e cila ende nuk është aprovuar për t’u përdorur te fëmijët e moshës nën 18 vjeç. Pas këtij veprimi, Autoriti Rajonal Shëndetësor kërkoi falje duke pranuar gabimin e kryer.

Aktualisht, vetëm vaksina Pfizer-BioNTech është miratuar për përdorim te fëmijët e moshës 12 deri në 17 vjeç në Kanada.

Megjithëse, fëmijët e vegjël konsiderohen të jenë në rrezik më të ulët të shfaqjes së komplikimeve Covid-19, dhe kanë më pak gjasa të përhapin sëmundjen në krahasim me të rriturit, zyrtari rajonal i Shëndetësisë, Dr. Bonnie Henry tha se duke vaksinuar fëmijët, qeveria kërkon të zvogëlojë “transmetimin e përgjithshëm të Covid në popullatë”.

Që nga java e kaluar, më shumë se gjysma e popullsisë së Kanadasë ka marrë të paktën një dozë të vaksinës së koronavirusit. Më pak se 5% janë vaksinuar plotësisht.