Lideri komunist i Koresë së Veriut, Kim Jong-un e ka pranuar se vendi i tij po përballet me një krizë për ushqime.

Gjatë një takimi me udhëheqës të lartë, ai tha se “situata e ushqimeve në popullatë po tensionohet”.

Ai tha se sektori i bujqësisë nuk i ka përmbushur objektivat e grumbullimit të grurit për shkak të tajfuneve të vitit të shkuar, që kanë shkaktuar përmbytje.

Sipas BBC, ka raportime se çmimet e ushqimeve në vend kanë pësuar rritje, aq sa një kilogram banane tani kushton 45 dollarë.

Koreja e Veriut ka mbyllur kufijtë e saj për të penguar përhapjen e Covid-19.

Si rezultat, tregtia me Kinën ka rënë. Koreja e Veriut është e varur nga Kina për ushqime, plehra kimikë dhe karburante.

Po ashtu vendi komunist po përballet me sanksionet ndërkombëtare, të vendosura për shkak të programit bërthamor.