Ministria e Bujqësisë dhe e Zhvillimit Rural konfirmon se në Shqipëri janë regjistruar rastet e para të gripit të shpendëve të tipit H5N8.

Sëmundja është e pranishme në tri vatra, që ndodhen respektivisht në Njësinë Administrative Fushë- Krujë, në Njësinë Admistrative Dajt dhe në Njësinë Administrative Bujan.

Monitorimet e situatës epidemiologjike në popullatën e shpendëve nga ana e Ministrisë së Bujqësisë erdhën pas njoftimit të dhënë nga Organizata Botërore e Shëndetit të Kafshëve, për praninë e virusit të Gripit të shpendëve në disa vende të rajonit dhe më gjerë.

Ministria njofton se shërbimi veterinar kreu eliminimin e shpendëve të prekur dhe të dyshimtë, si dhe mori masat për parandalimin e përhapjes së mëtejshme të sëmundjes.

Në vijim, Urdhri i Ministrit ndalon në rang kombëtar tregtimin e shpendëve të gjallë në mjediset e hapura dhe në tregjet e kafshëve të gjalla. Lejohet lëvizja e shpendëve me destinacion thertoret, të shoqëruar vetëm me certifikatë shëndetësore veterinare.

MBZHR sjell në vëmendjen e publikut respektimin e higjienës dhe gatimin në temperatura të larta të të gjitha produkteve me origjinë shtazore