Prokuroria për Ndjekje të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka hapur edhe një hetim për furnizim të një softueri tjetër për të cilin sërish i dyshuar i parë është ish sekretari i Qeverisë, Dragi Rashkovski.

“Tre prej katër tanimë të dyshuar kanë kryer edhe dy vepra penale, për çka prokurori kompetent nga Prokuroria për Krim të Organizuar dhe Korrupsion ka miratuar urdhër të ri për zbatimin e procedurës hetimore kundër tre personave.”,- thonë nga PNKOK.

Hetimi ka zbuluar se pa u respektuar dispozitat e Ligjit për Furnizime Publike, pra pa zbatuar procedurë të tenderimit, në gjysmën e dytë të vitit 2017, i dyshuari, Dragi Rashkovski, ka kryer pagesa në baza të ndryshme në ndërmarrjen e të dyshuarit të tretë, me vlerë prej 2.727 euro, duke dëmtuar Buxhetin me 6.623.916 denarë, thonë nga Prokuroria. Rashkovski akuzohet ndërkohë edhe se ka marrë çdo muaj nga 500 euro nga honorari prej 80.000 denarësh që i lëshohej një bashkëpunëtori të Qeverisë.

“Në pajtueshmëri me marrëveshjen paraprake mes dy të dyshuarve, paratë janë ndarë në proporcion 5:3 në dobi të dyshuarit të dytë, me çka i dyshuari i parë për vete ka përfituar vlerë të përgjithshme prej 590.000 denarë.”,- thonë nga Prokuroria.

Prokurori publik ka kërkuar vazhdimin e masës së paraburgimit për të dyshuarit.