Sistemi i frenimit emergjent dështoi në teleferikun në Piemonte që ra në tokë të dielën, duke vrarë 14 vetë, u tha gazetarëve të hënën Olimpia Bossi, kryeprokurore e qytetit të Verbania.

Sipas mediave të huaja, duket se frenat duhet ta kishin mbajtur makinën “të qëndrueshme” pasi u prish një nga kabllot.

Në vend të kësaj makina duket se ka rrëshqitur prapa derisa goditi një shtyllë dhe më pas “u zhyt” në tokë.

Teleferiku, i cili kishte një kapacitet maksimal prej 35 njerëzish, lidhte vendpushimin e Stresa të Liqenit Maggiore me majën e malit Mottarone në rreth 1.500 metra mbi nivelin e detit.

Stresa deklaroi të hënën një ditë zie në qytet ndërkohë që pesë familje janë shkatërruar nga katastrofa.

I mbijetuari i vetëm, një djalë pesë vjeçar, po lufton për jetën e tij në spital.

Siç vënë në pah mediat, tri nga pesë familjet ishin banorë në Lombardi, duke përfshirë një me origjinë izraelite, ndërsa një ishte nga Emilia Romagna dhe një nga Kalabria.

Viktimat me origjinë izraelite ishin një çift i martuar dhe fëmija i tyre dy vjeç, i cili vdiq së bashku me një çift të moshuarish, gjyshërit e gruas.

Djali i tyre pesë vjeçar është i mbijetuari.

Një hetim për katastrofën është hapur, ndërkohë që ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Enrico Giovannini tha se ishte një ditë “trishtimi i madh” për të gjithë kombin pasi mbajti një takim mbi katastrofën me autoritetet Mbrojtjes Civile, Guvernatorin e Piemonteit dhe kryetarin e Komunës së Stresa.