Në nderim të 5 Majit – Ditës së Dëshmorëve të Kombit, Universiteti i Tetovës sot ka bërë homazhe para lapidarit “Flakadani i Kujtesës” që ndodhet në kampusin e Universitetit.

Para këtij monumenti historik në të cilin janë përjetësuar emrat e pishtarëve të arsimit shqip dhe veprimtarëve të kauzës sonë kombëtare, Rektori, Prof. Dr. Vullnet Ameti, i shoqëruar nga senatorët, dekanët e fakulteteve dhe pedagogë, në shenjë nderimi kanë vendosur lule për të kujtuar heroizmin, idealin e pathyeshëm kundrejt ndjekjeve, persekutimeve, burgosjeve dhe anatemimit.

“Jemi sot këtu para lapidarit “Flakadani i Kujtesës” që përmes homazheve ta shënojmë Ditën Mbarëkombëtare të Dëshmorëve të Kombit. Dëshmorët e kombit , edhe pse nuk janë në mesin tonë, ata na bashkojnë përmes veprës dhe testamentit të tyre. Sot të gjithë bashkërisht, e risjellim në kujtesën tonë heroizmin e pashoq , por njëherit i përkujtojmë vuajtjet e tyre, idealin e pathyeshëm, kundrejt ndjekjeve, persekutimeve , burgosjeve dhe anatemimit nga ish-sistemi. Organizimi i veprimtarive përkujtimore, për këto atdhetarë që bënë historinë, edhe pse paraqet një kontribut modest përballë veprës së tyre, vlerësojmë se mbetet forma e vetme për të përjetësuar emrat e tyre në historinë tonë gjithëkombëtare”- theksoi Rektori i UT-së, Prof. Dr. Vullnet Ameti.

Ai po ashtu u shpreh se dëshmorët e kombit janë ata para të cilëve përulemi me respektin më të madh, sepse ishin dëshmorët që mundësuan realizimin e idealeve të gjeneratave të mëparshme dhe të të gjithë neve.
Dita e dëshmorëve, shënon një nga datat e ndritshme të kujtesës sonë. Shënon datat më të rëndësishme të së kaluarës sonë të lavdishme, të kthesave të mëdha të kombit tonë.