Një zyrtar i lartë i Hamasit, me seli në Katar, ka konfirmuar se grupi ka pranuar armëpushimin e ndërmjetësuar nga Egjipti, që u jep fund luftimeve në orën dy të mëngjesit të së premtes. Në Izrael, zyra e kryeministrit Benjamin Netanyahu ka bërë të ditur se Kabineti i Sigurisë ka votuar për ta pranuar propozimin egjiptian, por ka tërhequr vërejtjen se “realiteti në terren do ta përcaktojë vazhdimësinë e fushatës”
Izraeli dhe Hamasi janë pajtuar që marrëveshja për ndaljen e luftimeve në Gaza të hyjë në fuqi të premten në mëngjes, pas plot 11 ditësh luftime të ashpra, kanë konfirmuar të enjten që të dyja palët.

Një zyrtar i lartë i Hamasit, me seli në Katar, ka konfirmuar nëpërmjet një interviste telefonike për të përditshmen amerikane “New York Times” se grupi ka pranuar armëpushimin e ndërmjetësuar nga Egjipti, që u jep fund luftimeve në orën dy të mëngjesit të së premtes. Në Izrael, zyra e kryeministrit Benjamin Netanyahu ka bërë të ditur se Kabineti i Sigurisë ka votuar për ta pranuar propozimin egjiptian, por ka tërhequr vërejtjen se “realiteti në terren do ta përcaktojë vazhdimësinë e fushatës”.

Që nga 10 maji, Hamasi – grupi militant që e mban kontrollin në Gaza – ka shkrepur me qindra raketa drejt Izraelit, përderisa ushtria izraelite ka bombarduar me intensitet të lartë caqet në Gaza. Ndërkaq, sirenat paralajmëruese kanë jehuar në qytetet izraelite përgjatë kufirit me Rripin e Gazës vetëm pak minuta pas njoftimit për armëpushim, duke lënë të kuptohet se militantët po i vazhdojnë sulmet me raketa.

Diplomatë nga Egjipti, Katari dhe Kombet e Bashkuara janë përfshirë në procesin e intensifikuar të ndërmjetësimit midis Hamasit dhe Izraelit, duke e thelluar presionin ndërkombëtar për ndaljen e luftimeve, teksa të dyja palët janë deklaruar gjatë javës se janë të hapura për një ujdi të uljes së armëve.

Ujdia është arritur vetëm një ditë pasi presidenti amerikan, Joe Biden, ka nxitur kryeministrin izraelit që të angazhohet për qetësimin e situatës. Iniciativa për zgjidhjen diplomatike të krizës kishte marrë shtysë më të fuqishme të mërkurën, kur Bideni ka ushtruar presion publik ndaj Netanyahut për ndaljen e operacioneve. Ai i kishte kërkuar liderit izraelit që të ulte theksueshëm intensitetin e tensioneve “qysh sot” për të avancuar drejt armëpushimit. Mirëpo, Netanyahu e kishte sfiduar këtë kërkesë të aleatit, duke pretenduar se është “i vendosur që ta vazhdojë operacionin deri në përmbushje të synimit”.

Ky njëherësh ishte konfrontimi i parë publik midis dy aleatëve të afërt që nga nisja e luftimeve dhe paraqiti një test të vështirë për marrëdhëniet SHBA-Izrael në fazë të hershme të presidencës Biden. Kjo pasi që vetë shefi i Shtëpisë së Bardhë ishte ballafaquar me presion “prapa dyerve të mbyllura” për intervenim në këtë krizë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë kontakte me Hamasin, të cilin si ato ashtu edhe Bashkimi Evropian e konsiderojnë si një grup terrorist. Megjithëkëtë, administrata ka luajtur rol të rëndësishëm në përpjekjet për përfundimin e konfliktit. Gjatë së enjtes, zyra presidenciale në Kajro ka njoftuar se Bideni ka zhvilluar një bisedë telefonike për çështjen me presidentin egjiptian Abdel Fattah el-Sissi.

Pak para arritjes së ujdisë, sekretarja për Shtyp e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, kishte thënë se raportet e sinjalizuara për avancimin drejt një armëpushimi janë “qartazi trimëruese”. Ajo ka theksuar se SHBA-ja ka “bërë krejt çfarë është e mundshme për t’i dhënë fund konfliktit”.

Ndërsa sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, ka bërë thirrje në Këshillin e Sigurimit për armëpushim të menjëhershëm. Ndërkaq, i angazhuar për paqen gjatë së enjtes ka qenë edhe ministri i Jashtëm gjerman, Haiko Maas.

Gjatë qëndrimit të tij në Izrael gjatë ditës, Maas ka thënë se Izraeli ka “të drejtë që ta mbrojë veten karshi sulmeve të tilla të papranueshme”. Por, ai ka shprehur shqetësim rreth rritjes së numrit të viktimave civile dhe ka mbështetur përpjekjet për armëpushim.

Marrëveshjet e mëhershme për armëpushim midis Izraelit dhe Hamasit shpesh janë shkelur, përfshirë në vitin 2014, kur ujditë ishin shpërfillur të paktën dy herë gjatë luftës 50-ditore. Por, ujditë mund të ofrojnë periudha qetësie që hapin rrugën për negocimin e marrëveshjes më afatgjate. Ato gjithashtu e mundësojnë rikthimin e personave të zhvendosur nëpër shtëpitë e tyre.

Hamasi dhe Izraeli janë përfshirë në forma të ndryshme konflikti që nga themelimi i grupit palestinez në vitet 1980. Aksionet më të fundit ushtarake kanë nisur pasi Hamasi ka shkrepur raketa në Jerusalem në kundërpërgjigje ndaj bastisjeve policore në xhaminë al-Aqsa, një prej vendeve më të shenjta për islamin, dhe ndaj dëbimeve të planifikuara të disa familjeve palestineze nga shtëpitë e tyre në këtë qytet.

Edhe në rast se luftimet ndalen, çështjet ndezëse të tyre mbesin të pazgjidhura: beteja rreth të drejtave pronësore në Jerusalem dhe në Bregun e okupuar Perëndimor, tensionet fetare në Qytetin e Vjetër të Jerusalemit dhe mungesa e një procesi paqësor për zgjidhjen e konfliktit. Ndërkaq, Gaza vazhdon të jetë nën bllokadën e Izraelit.

Qysh nga fillimi i luftimeve të fundit më 10 maj, zyrtarët shëndetësorë në Gaza kanë bërë të ditur se sulmet izraelite kanë lënë të vrarë 232 palestinezë, mes të cilëve 65 fëmijë dhe 39 gra, ndërsa të lënduar më shumë se 1 mijë e 900 të tjerë. Ndërkaq Izraeli ka konfirmuar vdekjen e 12 qytetarëve dhe lëndimin e qindra të tjerëve.