Ai quhej Alireza Fazeli Monfared dhe ishte vetëm 20 vjeç.

Ishte homoseksual dhe për shkak të vështirësive me të cilat përballej si pasojë e orientimit të tij seksual, ishte gati të largohej nga Irani për në Turqi.

Monfared raportohet se u vra nga familjarët, përpara se të mund të largohej nga provinca jugperëndimore e Khuzestanit, pasi ata e akuzuan për çnderimin e familjes.

Vrasja nxori në pah gjendjen e komunitetit lesbik, homoseksual, biseksual dhe transseksual (LGBT) në Iran dhe nxiti frikë se ky nuk do të jetë rasti i fundit i të ashtuquajturave vrasje për nder në Republikën Islamike.

“Nuk ka asnjë garanci se kjo nuk do të ndodhë përsëri, derisa shoqëria jonë të arsimohet dhe informohet”, thotë për Radion Evropa e Lirë Arsham Parsi, një aktivist iranian për të drejtat e homoseksualëve, me qendër në Toronto.

Monfared raportohet se u vra më 4 maj nga gjysmëvëllai i tij dhe kushërinjtë.

Sipas disa raporteve, ata ia prenë kokën, ndërsa trupin ia hodhën poshtë një peme, afër kryeqytetit të provincës, Ahvaz. Më pas, thuhet se e telefonuan nënën e tij për t’i treguar se ku mund ta gjejë.

Rrjeti iranian i Lesbikeve dhe Transgjinorëve “6rang” tha në një deklaratë më 7 maj se gjysmëvëllai i Monfaredit mësoi për orientimin e tij seksual pasi e pa kartën e tij të përjashtimit nga shërbimi ushtarak.

Në Iran, homoseksualët lejohen të kapërcejnë detyrën ushtarake, për shkak të “çrregullimeve mendore”.

Edhe para se të vritej, Monfared u ishte ankuar miqve për kërcënime nga të afërmit e tij, për shkak të orientimit seksual.

Në një audio-incizim të siguruar nga BBC-ja, Monfared ka thënë se familja e tij e ka kërcënuar me vrasje dhe se ai është duke planifikuar të ikë nga Irani dhe të kërkojë azil në Norvegji ose Suedi.

Partneri i Monfaredit, aktivisti Aghil Abyat, i tha Radios Evropa e Lirë se ai do të udhëtonte në Turqi më 8 maj, për t’u bashkuar me të.

“Ai më tha se ishte kërcënuar nga gjysmëvëllai i tij”, tha Abyat.

Abyat e përshkroi Monfaredin si një të ri “të gjallë” dhe “shumë të lumtur”, të cilit i pëlqente të udhëtonte, të dëgjonte muzikë dhe të postonte video në TikTok.

Postimet e tij në Instagram sugjerojnë gjithashtu se ai kishte interes për modën.

Parsi, aktivisti nga Toronto, i cili javëve të fundit ka biseduar me Monfaredin, tha se ai është ankuar për presion nga familja dhe jotolerancë në shoqëri.

“Ai nuk e tha qartë se ishte kërcënuar me vrasje, sepse sikur ta thoshte, do ta kontaktoja privatisht. Ne i marrim këto çështje shumë seriozisht”, tha Parsi për Radion Evropa e Lirë.

Anëtarët e komunitetit homoseksual në Iran detyrohen të fshehin orientimin e tyre seksual, shpesh duke bërë jetë të dyfishtë, për shkak të frikës së persekutimit nga shteti, i cili aktet homoseksuale i konsideron si vepër penale. Shoqëria, ndërkaq, e sheh homoseksualitetin si sëmundje.

Homoseksualiteti dënohet me vdekje në Iran, por të dëshmosh se ka ndodhur një akt seksual nuk është e lehtë, pasi kërkon dëshminë e katër burrave të rritur.

Ndëshkime të tmerrshme
Parsi thotë se komuniteti LGBT në Iran është “jashtëzakonisht i cenueshëm” dhe i ekspozuar ndaj ndëshkimeve dhe ngacmimeve të tmerrshme.

“Në njërën anë, establishmenti ka ligje që përfshijnë dënimin me vdekje dhe gjuajtjen me gurë të homoseksualëve dhe, në anën tjetër, familjet e tyre nuk i pranojnë, e as shoqëria”, thotë Parsi.

“Nëse atyre u ndodh diçka në punë ose shkollë, nëse abuzohen ose përdhunohen, ata nuk kanë kujt t’i drejtohen”, shton ai.

Vrasja e Monfaredit shkaktoi frikë te komuniteti LGBT në Iran, duke e kujtuar për kërcënimet e tmerrshme me të cilat përballet.

“Sot, unë mora mesazhin e 86-të nga [një homoseksual në Iran] i cili tha se ky mund të kem qenë unë”, tregon Parsi, duke shtuar se “frika e homoseksualëve është reale dhe duhet të merret seriozisht”.

Aktivisti i të drejtave të njeriut, Kaveh Kermanshahi, me qendër në Berlin, thotë se vrasja ka tronditur shumë njerëz.

“Kushdo që ka kaluar probleme të ngjashme, mund të pësojë trauma përsëri. [Vrasja] i kujton për vështirësitë”, thotë Kermanshahi, i cili më herët ka jetuar në Iran.

“Unë isha politikisht aktiv, isha aktiv në sferën e të drejtave të njeriut, isha gjithashtu gazetar i rrezikuar nga arrestimi, i cili edhe ndodhi. Për shkak të të gjitha këtyre, kam vendosur të mos e zbuloj [seksualitetin tim], thotë Kermanshahi.

Vrasjet për nder shpesh nuk raportohen
Si Kermanshahi, ashtu edhe Parsi besojnë se një numër i madh i vrasjeve në Iran për shkak të orientimit seksual, nuk raportohet.

Në vitin 2017, “6rang” raportoi se një transgjinor 23-vjeçar, i identifikuar si Siavash, u vra në qytetin Khorramabad të Iranit nga babai i tij, i cili, sipas raportit, bëri vetëvrasje më pas.

“Me sa duket, identiteti seksual i Siavashit nuk ishte i pranueshëm nga familja”, tha “6rang”.

Parsi thotë se në vitin 2004, një gazetë lokale raportoi për vrasjen e një homoseksuali nga babai i tij në një fshat verior të Iranit.

“Asnjëherë nuk është bërë e qartë nëse babai është arrestuar dhe dënuar”, thotë ai.

Sipas një sondazhi të publikuar nga grupi “6rang”, më 2020, 62 për qind e pjesëtarëve të anketuar të komunitetit LGBT në Iran kanë thënë se kanë përjetuar një ose më shumë forma të dhunës nga familja e tyre e ngushtë.

Gati 30 për qind e tyre janë ankuar për dhunë seksuale, ndërsa 77 për qind kanë thënë se i janë nënshtruar dhunës fizike.

Presioni dhe persekutimi detyrojnë shumë prej tyre të largohen nga Irani, ndërsa shumë të tjerë i nënshtrohen operacionit për ndryshimin e gjinisë./REL