Presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan dhe homologu i tij iranian, Hasan Rouhani diskutuan në telefon konfliktin Izrael-Palestinë

Erdogan, që më herët deklaroi se Turqia nuk do ta pranojë persekutimin izraelit, edhe nëse e gjithë bota e injoron, e bëri të qartë se Ankaraja është e gatshme të marrë një qëndrim serioz përballë ofensivës së shtetit hebre. Komuniteti global, u shpreh ai, duhet t’i dërgojë Izraelit një mesazh të fortë.

Presidenti turk insistoi po kështu, se është e domosdoshme që bota islame të adoptojë një qëndrim të unifikuar, por edhe veprime kundër sulmeve të Izraelit.

Përpara tij, ambasadori turk në OKB, Feridun Sinirlioğlu, e quajti të papranueshme që Këshilli i Sigurimit nuk arriti të dilte me një deklaratë të përbashkët kundër dhunës në territoret palestineze.

Ai përmendi vdekjet e foshnjeve e të fëmijëve, e tha se sulmet ndaj shkollave përbëjnë krime lufte.

“Që prej fillimit të agresionit izraelit, dhjetëra fëmijë kanë vdekur në Gaza. Nëse një klasë e mbushur me të mitur do të hidhej në erë diku tjetër, sa ditë mendoni se do t’i duheshin këtij Këshilli për t’u mbledhur”, pyeti ambasadori, sipas të cili heshtja përballë kësaj kasaphane njerëzore vetëm sa e inkurajon më shumë Beniamin Netanyahun.