Turqia dënoi ashpër sulmet ajrore të Izraelit në Rripin e Gazës, të cilat vranë dhjetëra civilë, përfshirë fëmijë, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Ne dënojmë fuqishëm sulmet ajrore të Izraelit në Rripin e Gazës që kanë shkaktuar vdekjen e shumë njerëzve të pafajshëm, përfshirë fëmijë. Lutemi për mëshirën e Allahut për ata që humbën jetën në sulme dhe u urojmë shërim të shpejtë të plagosurve”, tha Ministria e Jashtme në një deklaratë.

Izraeli është përgjegjësi kryesor për përshkallëzimin e situatës në territoret palestineze deri në këtë masë, tha ministria, duke dënuar sulmet e Izraelit ndaj palestinezëve në Xhaminë Al-Aksa gjatë muajit të bekuar të Ramazanit.

“Është e qartë se politikat agresive dhe provokuese të Izraelit nuk do të kontribuojnë në përpjekjet për t’i dhënë fund dhunës në Lindjen e Mesme dhe për të siguruar mbizotërimin e dialogut dhe pajtimit”, thuhet në deklaratë.

Ministria tha se autoritetet izraelite duhet “t’i japin fund menjëherë” agresionit të tyre ushtarak kundër palestinezëve, duke kërkuar që Tel Avivi të kuptojë se të drejtat dhe kërkesat legjitime të popullit palestinez nuk mund të shtypen më.

Ministri i Jashtëm i Turqisë Mevlüt Çavuşoğlu vazhdon të zhvillojë bisedime me organizata të shumta ndërkombëtare, duke përfshirë OKB-në dhe Organizatën e Bashkëpunimit Islam, si dhe shtetet rajonale dhe evropiane, njoftohet në deklaratë.

Qëllimi i këtyre përpjekjeve është të ulen tensionet në rajon dhe t’i jepet fund agresionit të Izraelit, shtoi deklarata.