Më 12 maj prokurorët në Maqedoninë e Veriut akuzuan ish-kryeministrin Nikolla Gruevski për pastrim parash. Është pohuar se ai ka grumbulluar para të dhuruara në emër të partisë së tij, i cili ka blerë patundshmëri në Belize në mënyrë të paligjshme për të fshehur pronësinë e saj. Mirëpo, Gruevski thotë se çështja është e motivuar politikisht. Ndërkohë në vendpushimin boshnjak të Jahorinës, gangsterë dhe zyrtarë të korruptuar kanë investuar në hotele. Pra, të gjitha llojet e korrupsionit janë të përhapura. Një mërgimtar, i cili ka ndërtuar gjysmën e një blloku të banesave pranë shtëpisë së tij në Vlorë, aktualisht i ka ngecur ndërtimi, sepse ai nuk pranon të paguajë ryshfet për të siguruar lejet e nevojshme.

Në gjithë Ballkanin paratë e pista po pastrohen përmes patundshmërive, duke “prishur” tregun dhe rritur çmimet – për inat të kërkuesve të zakonshëm të shtëpive, shkruan The Economist. Kullat luksoze po lulëzojnë në Tiranë, Shkup, Prishtinë dhe Beograd. Megjithëse ekonomitë e Ballkanit janë goditur rëndë nga pandemia COVID-19, çmimet e pronave në këto vende kanë sfiduar tendencën. Në Tiranë, patundshmëritë janë dyfishuar që nga viti 2017. Në gjithë Shqipërinë vlera e transaksioneve të pasurive të patundshme gjatë vitit 2020 është rritur me 6.7 për qind. Pastrimi i parave të drogës, veçanërisht nga trafiku i kokainës, i cili ka lulëzuar në vitet e fundit, është një arsye pse çmimet po rriten, kështu thuhet në raportin më të ri të Iniciativës Botërore kundër Krimit të Organizuar Transnacional që është një rrjet ndërkombëtar i specialistëve të krimit. Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor kanë ligjet e duhura kundër pastrimit të parave, por zbatimi i tyre është i mangët.

Në dekadën e kaluar, grupet e krimit në Ballkan kanë tejkaluar vendet e origjinës. Ata tani fitojnë shumë para jashtë vendit të tyre. Prandaj, siç thotë raporti, një pjesë e madhe e fitimeve të këtyre grupeve është investuar edhe jashtë vendit, mirëpo ata ende investojnë në “shtëpi”. Fatjona Mejdini, e cila ndihmoi në hartimin e raportit, thotë se qeveritë e vendeve të Ballkanit janë ambivalente në lidhje me pastrimin e parave. “Ata duan ta godasin atë [pastrimin e parave], por njëkohësisht mirëpresin këto investime, të cilat mund të krijojnë vende të reja të punës. Sa për gangsterët, ata janë konservatorë kur bëhet fjalë për t’i investuar ato. Atyre u ‘mungon imagjinata’”, thotë Mejdini, prandaj “ata preferojnë tulla dhe llaç më shumë se llojet e tjera të biznesit, të cilat mund ta përdorin për ta pastruar plaçkën e tyre”.