Sektori për Punë të Brendshme Tetovë-Stacioni Policor për Siguri në Trafikun Rrugor Tetovë këto ditë po zbaton disa masa specifike për rend më të madh të trafikut në qytet, si dhe për të luftuar zhurmën gjatë mbrëmjeve, të shkaktuara nga mjetet motorike informon Tetovasot . Gjatë fundjavës së kaluar janë konfiskuar 5 automjete për tu kryer kontroll teknik, pasi që është përcaktuar se automjetet kanë qenë të modifikuara dukshëm dhe se të njëjtat kanë qenë të përgatitura për të ashtuquajturat gara “të egra” në orët e vona të mbrëmjes.
Sektori për Punë të Brendshme Tetovë u kujton pronarëve të automjeteve dhe motoçikletave se ata do të përballen në mënyrë të pashmangshme me sanksionet e parashikuara me ligj të cilat sipas ndryshimeve të fundit në Ligjin për Sigurinë në Trafikun Rrugor parashikojnë privim të përkohshëm prej tre ditësh ose tre muajsh, varësisht nga lloji dhe natyra e kundërvajtjes, gjithashtu parashikohet edhe një gjobë prej 400 euro në kundërvlerë në denarë.
Prandaj, Sektori për Punë të Brendshme Tetovë përsëri thekson se të gjithë pjesëmarrësit e mundshëm në gara “të egra” do të sanksionohen rreptësisht, duke përmendur veçanërishtë automjetet të cilat janë burim i zhurmës së tepruar. Ky sektor gjithashtu përkujton se askush nuk ka e drejtë, gjegjësishtë nuk do të jenë në gjendje të prishin rendin dhe qetësinë e qytetarëve të tjerë me automjet ose në ndonjë mënyrë tjetër dhe se kontrollet do të kryhen për çdo ditë dhe pa përjashtim.