Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, tha se dokumenti i programit qeverisës të cilin e ka prezantuar Qeveria Kurti është deklaratë politike.

Sipas Tahirit, programi i Qeverisë nuk ka caqe e synime specifike, njofton Klan Kosova.

“Pas një vështrimi fillestar të programit të vonuar të Qeverisë, na është bërë shumë e qartë se Qeveria e Albin Kurtit është dorëzuar para besimit që e kanë marrë”.

“Programi në vend së të artikulojë caqe dhe synime specifike, ai po i ikë kësaj metode dhe na prezanton një rrëfim të dikastereve pa asnjë veprim dhe masë konkrete. Flet për veprime pa caqe të matshme”.

“Marrëdhënia jote me shtetin dhe shoqërinë, nuk është më në baza të mendimit të lirë dhe vullnetit tuaj, sepse ju e keni dhënë një betim para Kuvendit dhe keni marr besimin e mbi 50 përqind të popullit. Vepro, puno dhe mos e mashtro shoqërinë e shtetin me fjalë mirë të thurrura! Kryeji punët për çka e ke marrë besimin. Deri sot, 55 ditë ke trendin më të ulët në histori të qeverisjes 20 vjeçare”.