Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu të hënën njoftoi emërimin e David Barnea si kreun e ri të shërbimit të inteligjencës së vendit Mossad, transmeton Anadolu.

Sipas gazetës izraelite “Haaretz”, Netanyahu zgjodhi Barnea-n, i cili ka shërbyer si nënkryetar i agjencisë së spiunazhit që nga viti 2018.

Kanali shtetëror “TV KAN” raportoi se Netanyahu mori miratimin nga Prokurori i Përgjithshëm i Izraelit, Avichai Mandelblit për emërimin.

Në një ceremoni në të cilën ai dha Çmimin e Kryeministrit për oficerë të jashtëzakonshëm të Mossad-it, Netanyahu tha se detyra kryesore e Mossad-it është të parandalojë Iranin nga përvetësimi i armëve bërthamore.

“Pavarësisht nëse është arritur marrëveshje (me Iranin) apo jo, ne do të bëjmë gjithçka për të parandaluar që Irani të përvetësojë armë bërthamore, sepse çështja ka të bëjë rreth ekzistencës sonë. Ky është misioni juaj i parë”, shtoi ai.

Barnea 56-vjeçar, i cili ka punuar në Mossad për 25 vjet, shërbeu gjithashtu në forcën e operacioneve speciale Sayeret Matkal të ushtrisë izraelite.