Jemi aleatë dhe investojmë në sigurinë tonë dhe në sigurinë rajonale, njëkohësisht e forcojmë edhe aleancën me fqinjët tanë, por edhe me SHBA-të, deklaroi ministrja e mbrojtjes, Radmilla Shekerinska, gjatë takimit me homologen nga Mali i Zi, Olivera Injac. Ministrat shpresojnë që në periudhën e ardhshme të rritet bashkëpunimi jo vetëm në sferën e mbrojtjes, por edhe në sfera të tjera.

“U pajtuam se anëtarësimi edhe i RMV-së edhe i Malit të Zi në Aleancë i dha rëndësi shtesë rajonit, në kuptim të rritjes së sigurisë dhe rritjes së kapacitetit për zhvillim të ekonomive tona. Vazhdimi i kësaj rruge jo vetëm euroatlantike, por edhe evropiane është shumë e rëndësishme për dy vendet dhe ne si dy vende aleate ndajmë atë ide.”,- tha ministrja e mbrojtjes, Radmilla Shekerinska.

“Diskutuam për potencialin jo vetëm në sferën e mbrojtjes, por për më shumë tema për shtetet tona, që edhe më shumë të përparojmë dhe të bashkëpunojmë, veçanërisht në këtë periudhë të stabilizimit post-kovid, me të cilin u përballëm për një vit e gjysmë.”,- u shpreh ministrja e mbrojtjes e Malit të Zi, Olivera Injac.

Ministrja Shekerinska informoi se në qershor së bashku ministren Injac dhe homologun e tyre slloven do t’i vizitojnë vendet baltike. Gjithashtu ajo informoi se i ka propozuar ministres Injac të dërgojnë oficerë në kolegjin e mbrojtjes në Romë.