Medai Shaholli

Dje në kongresin e SDSM-së është zgjedhur kryesia e re, sekretaria dhe nënkryetarët e saj, ku vendin njërit nga katër nënkryetarët e partisë e zuri një tjetër socialdemokrat nga radhët e ”pakicës shqiptare” (që SDSM-ja e ka bërë si rregull) me emrin Fatmir Bytyçi.
SDSM-ja është parti që vjen nga shkrirja e Lidhjes Komuniste të Maqedonisë duke u transformuar si një alternativë socialdemokrate e cila nuk është distancuar akoma nga e kaluara e parardhësve të saj ndaj krimeve të komunizmit dhe nga mentorët e saj titistë si Kolishevski e Gligorov, si bartës kryesor të persekutimit dhe diferencimit të shqiptarëve për gjysmë shekulli.

Aderimi në këtë parti i individëve me identitet të dyshimtë kombëtar apo si pasardhës të titistëve shqiptarë nuk ka ndodhur për shkak të bashkimit të ideve dhe promovimit të vlerave të socialdemokracisë apo të gatishmërisë për të kontribuar në shpalosjen e një programi qytetar për të gjithë, por kjo ka ndodhur më shumë për shkak të nostalgjisë dhe bindjeve të tyre të mykura që gjejnë brenda SDSM-së, si partia pasardhëse e ”vëllazërim-bashkimit” titist të një kohe të perënduar.

Nga ana e saj SDSM-ja, nuk është parti qytetare e alternativës së majtë europiane që pretendon se përpiqet për një jetë më të mirë për të gjithë, por ajo njësoj si Lidhje e Komunistëve të Maqedonisë së gjysmë shekulli më parë, vazhdon të mbrojë dhe të ruaj supremacinë sllavo-maqedone mbi shtetin dhe ndarjen e pushtetit.

Ajo i konsideron shqiptarët si kalimtarë të rastit që kanë humbur rrugën në këto troje dhe jo si popullin autokton të Ilirisë së lashtë.
Partitë politike shqiptare me ndryshimet e fundit kushtetuese çimentuan përfundimisht shtyllën kryesore të shtetit siç është kushtetuta e njëanëshme me supremacinë sllavo-maqedone, që u dhanë atyre të drejtën e mbajtjes dhe ruajtjes së pushtetit vetëm nga ata dhe për ata.
Ndaj, shqiptarët nuk kanë shumë për t’u çuditur që në gjirin e SDSM-së dhe në udhëheqjen e saj shohim të aderojnë individë me identitet të dyshimtë kombëtar dhe pasardhës të një grupimi titist si Muki, Mondi, Fatmiri etj., lojal den baba den të pushtetit, tregon qartë për integrimin e tyre brenda një partie që nuk ka hequr dorë nga mentaliteti shoven dhe nga mbeturinat e së kaluarës komuniste jugosllave të shfaqjes së hapur të superioritetit dhe dominimit mbi popujt e tjerë.

Në fakt SDSM-ja është streha e fundit e grumbullimit të stramastikëve dhe melesëve shqiptarë që kërkon një identitet të ri brenda një partie e cila ka prodhuar këtë specie të rrallë që fatkeqësisht është në zhvillim e sipër.

Stramastikët e zgjedhur në krye të SDSM-së, nuk përfaqësojnë interesat kombëtare të shqiptarëve por, mbrojnë interesat e ”një një kombi superior” ndaj të tjerëve, mentalitet shoven ky i promovuar nga ”baballarët” e SDSM-së dhe nga premieri Zajko.