Institucionet kanë arritur të rikthejnë negociatat për ndryshimet eventuale në Kodin zgjedhor, pasi ata ishin pezulluar për një kohë të gjatë. Në takimin e fundit të iniciuar nga ministri Drejtësisë Bojan Mariçiq dhe në praninë edhe të ministrit të Brendshëm Oliver Spasovski, takim ky që nuk ka qenë publik, të gjitha partitë politike parlamentare kanë bërë të ditura pozitat e tyre. LSDM-ja është e gatshme të vazhdojë negociatat në të cilat thonë se kanë kërkuar zbatimin e modelit me një njësi zgjedhore. Përveç kësaj, ndër opsionet që diskutohen janë listat e hapura të kandidatëve për këshilltarë komunash, një rreth zgjedhor për zgjedhjen e kryetarëve të komunave dhe ndryshimi i dispozitave për votimin e diasporës.

“Është arritur marrëveshje që ky lloj i konsultimeve të vazhdojë edhe gjatë javës që vjen dhe në ato takime do të diskutohen të gjitha çështjet që janë të rëndësishme për Kodin zgjedhor. LSDM-ja mbetet në qëndrimin e saj se është për një njësi zgjedhore, megjithatë, ndryshimet në Kodin zgjedhor sigurisht se duhet të sillen më një konsensus më të gjerë.”- deklaroi Lidija Tasevska, deputete e LSDM-së.

VMRO-DPMNE-ja nuk u përgjigj se me çfarë përshtypjesh doli nga takimi i parë i këtij lloji. Së fundmi nuk ka mohuar idenë e modelit me një njësi zgjedhore dhe për më tepër është angazhuar që ta shqyrtojë seriozisht atë mundësi. Megjithatë, sipas partisë opozitare, vetë LSDM-ja nuk e mban këtë premtim.

Ndërkohë as BDI-ja nuk pranoi të fliste. Qëndrimi i tyre është se nuk është koha për një njësi zgjedhore. Ndryshimet e tjera eventuale në Kodin zgjedhor nuk i komentojnë.

Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa thotë se duhet të shpejtohet me ndryshimet në Kodin zgjedhor, meqë zgjedhjet lokale afrohen.

“Shpresojmë se kjo çështje do të trajtohet po ashtu me urgjencë sepse afrohen edhe zgjedhjet lokale dhe ne duhet ta përshpejtojmë procesin që të jemi në favor me zgjedhjet lokale. Ne si subjekt politik do të japim propozimet tona. Ajo që tani për tani themi është se jemi të përkushtuara për një model me lista të hapura i cili duhet të startojë edhe në zgjedhjet lokale dhe gjithsesi që në këtë marrëveshje ne do të insistojmë që ajo të jetë edhe për zgjedhjet parlamentare që do të vijojnë.”- pohoi Flakron Bexheti, ASH-AAA.

Qeveria, në një mendim negativ të dërguar Kuvendit mbi propozimin e disa deputetëve për një njësi zgjedhore, pajtohet se vendi ka nevojë për një Kod zgjedhor tërësisht të ri, meqë ai aktual është ndryshuar dhe plotësuar më shumë se 30 herë deri tani. Kodi zgjedhor, thonë nga Qeveria, është ngarkuar dhe është bërë i vështirë për zbatim.

Institucioneve dhe partive nuk u mbetet shumë kohë në dispozicion të gjejnë gjuhë të përbashkët për të gjitha ose disa prej këtyre çështjeve meqë deri në zgjedhjet lokale kanë mbetur edhe 5 muaj.]