Pushteti bën përpjekje për miratimin e ndryshimeve të njëpasnjëshme në sistemin arsimor, për të cilat opozita ka vetëm kritika. Debati i fundit në Komisionin për arsim në Kuvend supozohej të përqendrohej në dy propozime për ndryshim të ligjeve, atë për mësimdhënës dhe bashkëpunëtorë profesionist në arsimin fillor dhe të mesëm si dhe ligjin për Byronë për zhvillimin e arsimit, por ai rezultoi në një përplasje të përgjithshme për reformën në arsim, me fokus, në paralajmërimet për digjitalizimin e tij.

E ashtuquajtura reformë arsimore e ministres Milla Carovskës është kombinim i porosive vendase dhe të huaja të cilat e kanë vetëm një qëllim, t’i shëmtojnë dhe t’i fshijnë gjurmët kombëtare dhe të cilat do të krijojnë gjenerata me qytetarë analfabetë. Ligji për librin e historisë, ligji për kuadrin arsimor në shkollat fillore dhe të mesme dhe ligji për Byronë për zhvillim të arsimit janë pjesë e reformës skandaloze me të cilën pushteti përpiqet të zbatojë çkyçjen dhe shëmtimin e të rinjve në vend – tha Ivanka Vasilevska, VMRO-DPMNE.

Pushteti për momentin kërkon që në Kuvend të miratohen ndryshimet e paralajmëruara për ndryshimin e statusit të punës të mbi 4700 nëpunësve në arsim nëpërmjet ndryshimit të ligjit për mësimdhënësit dhe bashkëpunëtorët. Sipas shumicës, janë 1464 mësimdhënës dhe bashkëpunëtorë profesional me kontratë deri në 2 vjet dhe 3326 mësimdhënës me kontratë pune mbi dy vjet, të cilët, nëse miratohet ligji, do të marrin statusin e nëpunësit me kohë të pacaktuar.

Ndryshimet ligjore do të krijojë siguri juridike dhe ekonomike të mësimdhënësve dhe bashkëpunëtorëve profesionist, përmes lidhjes së marrëdhënies së punës për kohë të pacaktuar, përmirësimin e cilësisë së procesit edukativ-arsimor përmes vendosjes së vazhdimësisë në realizimin e mësimit si dhe mundësinë e zhvillimit profesional dhe të karrierës të këtyre mësimdhënësve dhe bashkëpunëtorëve profesional – u shpreh Zhaklina Llazarevska, LSDM.

Në procedurë është edhe ligji për Byronë për zhvillimin e arsimit me të cilin pushteti synon të krijojë mundësi për punësimin e profesionistëve në Byronë e cila do të fitojë më shumë kompetenca. Mes tjerash, Byroja do të ketë përsipër edhe krijimin e portalit për mësimin nga distanca, me përmbajtje digjitale për përdorim gjatë mësimit.

Fatlume Dervishi