Një ish-punonjës i NLB “Tutunska Bankës”, ka dëshmuar në rastin “Titanik”, me ç’rast para gjykatës tha se shpesh ndodhte që një person me emrin Dalibor të paguante për më shumë persona fizik.

“Paratë janë paguar si donacion në emër të partisë politike VMRO-DPMNE. Një person me emrin Dalibor erdhi disa herë dhe mbante urdhërpagesa”, deklaroi ish-punëtori i Tutunska Bankës, i cili shtoi se sipas procedurave gjithçka ishte e ligjshme.

Një anëtar i VMRO-DPMNE-së nga Strumica, si dëshmitar, tha se ai personalisht pagoi mjete si donacion të partisë dhe gjithashtu nënshkroi fletëpagesë. Por, një punonjëse e SPB – Shkup, deklaroi se ajo personalisht nuk ka dhuruar para si donacion për një parti politike. Gjykimi në këtë rast drejtohet nga gjykatësi, Osman Shabani, ndërsa aktakuza përfaqësohet nga prokurorja publike, Lile Stefanova.

Në këtë rast, të akuzuar janë ish-kryeministri, Nikolla Gruevski, ish ministrat, Mile Janakieski, Gordana Jankuloska, Ilija Dimovski, dhe ish zyrtarë të qeverisë Gruevski, të cilët dyshohen për shoqërim kriminal, shkelje të së drejtës për të votuar, shkelje të lirisë së përzgjedhjes së zgjedhësve, ryshfet në zgjedhje dhe votim, shkatërrim të materialit zgjedhor dhe keqpërdorim të mjete për financimin e fushatës zgjedhore.