Pas gjashtë viteve nga konflikti i armatosur në “Lagjen e Trimave” në Kumanovë, rasti akoma ka mbetur pa epilog përfundimtar nga ankesat e dërguara në Gjykatën Supreme. Seanca gjyqësore ku duhej të shpaloset vendimi për njërin nga të dënuarit me burg të përjetshëm, Sulejman Osmani, u anulua për shkak të gabimit të gjykatës për thirrjen e dërguar në burg, për sjelljen e të akuzuarit në gjykatë. Mbrojtja e të akuzuarit, Osmani, pret që lënda të kthehet në rigjykim.

“Ne si palë mbrojtëse presim që kjo lëndë të rikthehet, ju si media e përcjellët lëndën dhe e dini që asnjë provë prej palës mbrojtëse nuk u pranua, praktikisht ishin më shumë se 200 prova si materiale ashtu dhe verbale. Arsyetimi që u vonua kjo lëndë është me të vërtetë një interval kohor i gjatë ku u bënë 6 vjet nga ngjarja, arsyetimi i gjykatës është se është dashur kohë të përkthen materialet. Me të vërtetë bëhet fjalë për lëndë komplekse me shumë materiale dhe dëshmi, po ky arsyetim nuk mban pasi që duhej të angazhohen më shumë përkthyes.”,- tha avokati mbrojtës, Naser Raufi.

Familjarët e të akuzuarit, Sulejman Osmani, shpresojnë në vendim të drejtë gjyqësor.

“Nuk jemi duke pritur asgjë, jemi shumë të habitur dhe nuk e dimë se çfarë po ndodh me të. Kërkojmë një gjykatë të drejtë.”,- u shpreh vëllai i Sulejman Osmanit, Miftar Osmani.

Avokati Raufi nuk heq dorë nga ndihma ndërkombëtare për zbardhjen e rastit të Kumanovës dhe se adresa e radhës ku do të kërkojnë drejtësi, pas Gjykatës Supreme, do të jetë Gjykata e Strasburgut.

“Përsëri kërkojmë që ndërkombëtarët të kyçen në këtë rast. Patjetër, do të aplikojmë edhe te Gjykata e Strasburgut, pasi sipas paragrafit 6 nga Konventa për të Drejta të Njeriut është thyer e drejta e mbrojtës, me atë që nuk u pranuan siç e ceka provat e palës mbrojtëse.”,- tha avokati mbrojtës, Naser Raufi.

Seanca e radhës në gjykatën supreme për Sulejman Osmanin është caktuar më 2 qershor. Në rastin “Lagjja e Trimave” u shqiptuan gjithsej 746 vjet burg dhe 7 dënime me burg të përjetshëm për veprën “terrorizëm”, ndërsa 4 persona janë liruar nga akuza.

Nga konflikti i armatosur më 9 dhe 10 maj të vitit 2015 në Kumanovë humbën jetën 8 policë dhe 10 pjesëtarë të grupit.