Presidenti bullgar Rumen Radev, gjatë takimit me eurokomisarin për zgjerim Oliver Varheji dhe shefin e diplomacisë portugeze Augusto Santosh Silva, deklaroi se zgjerimi i BE-së duhet të bazohet në rezultatet reale nga marrëdhëniet e mira fqinjësore.

Radev ka theksuar se për Bullgarinë perspektiva evropiane e Ballkanit Perëndimor dhe zgjerimi i BE-së janë prioritet i padiskutueshëm, duke shtuar se për arritje të rezultateve efikase për vendet-kandidate për anëtarësim në BE, më i rëndësishëm është dialogu direkt dhe i hapur.

“Për atë ne duam të shikojmë jo vetëm deklarata, por garancione të qarta për sigurinë tonë nacionale dhe interesat tona nacionale”, tha Radev.

Në takim ka marrë pjesë edhe ministri bullgar i Punëve të Jashtme Svetllan Stoev, lajmëroi korrespondenti i MIA-s nga Sofja. Radev e ka theksuar përparimin e rëndësishëm në agjendën evropiane, të arritur gjatë kryesimit portugez me Këshillin e BE-së, dhe i theksoi përpjekjet e institucioneve evropiane për aderim ende më të ngushtë të Ballkanit Perëndimor ndaj Evropës së bashkuar.

“Bullgaria është anëtare përgjegjëse e BE-së dhe do të vazhdojë t’i ndihmojë kandidatet për anëtarësim në Union t’i plotësojnë kriteret e Kopenhagës dhe t’i konfirmojnë parimet e fqinjësisë së mirë dhe respektimin e të drejtave të njeriut, të cilat janë në qendrën e bashkëpunimit evropian”, ka thënë Radev gjatë bisedave me Silvan dhe Varhejin.