Profesori i së drejtës kushtetuese në Fakultetin Juridik të UEJL-së, Jeton Shasivari më 21 Maj 2021 mori pjesë në Konferencën ndërkombëtare shkencore online me titull: “Sfidat bashkëkohore të së drejtës administrative nga perspektiva ndërdisiplinore” nën organizim të Fakultetit Juridik të Universitetit të Bukureshtit të Rumanisë.

Autori Shasivari në punimin e tij shkencor me titull: “Maqedonia e Veriut në kërkim të “gjeografisë më të mirë zgjedhore” për zgjedhjet parlamentare-kontroverzat dhe perspektivat”, para auditorit të pranishëm ndërkombëtar, i prezantoi gjetjet kryesore hulumtuese lidhur me reformën eventuale të sistemit zgjedhor sidomos kërkesa e partive të vogla politike për bashkimin e gjashtë njësive zgjedhore në një njësi të vetme zgjedhore, duke u fokusuar në simulimin e rezultateve zgjedhore parlamentare të pesë cikleve të fundit: 2008, 2011, 2014, 2016 dhe 2020 me një njësi zgjedhore, si dhe duke analizuar efektet eventuale të këtij simulimi, edhe atë: në asnjë rast partia e parë fituese nuk do të humbte pozicionin e saj fitues; numri i partive politike të përfaqësuara në Parlament do të rritej; partitë e vogla politike do të garronin të vetme në zgjedhje e jo në koalicion me LSDM ose VMRO-DPMNE; vetëm në zgjedhjet parlamentare të v. 2016 numri i deputetëve shqiptarë do të rritej për një deputet; ndërsa në katër ciklet e tjera do të ulej edhe atë: në zgjedhjet paralmentare të v. 2008 me një njësi zgjedhore do të kishte 3 deputetë shqiptarë më pak, poashtu edhe në v. 2011; ndërkaq, në zgjedhjet parlamentare të v. 2014 dhe 2020 do të kishte dy deputetë shqiptarë më pak gjë që është problematike për shtetet multietnike si RMV sidomos për faktin se sipas nenit 8 të Kushtetutës së RMV-së përfaqësimi i drejtë dhe adekuat i qytetarëve të të gjitha komuniteteve etnike në të gjitha nivelet paraqet një vlerë themelore të rendit kushtetues.

Autori Shasivari poashtu solli edhe përvojat e ndryshme të shteteve të rajonit si: Kosova, Serbia dhe Mali i Zi që zbatojnë sistemin zgjedhor me një njësi të vetme zgjedhore duke analizuar përparësitë dhe mangësitë e këtij sistemi zgedhor, sidomos mangësinë kryesore lidhur me përfaqësimin jo të drejtë gjeografik dhe territorial të qytetarëve në këto tri shtete, në veçanti e shprehur në Serbi ku mbi gjysma e komunave në këtë shtet nuk janë të përfaqësuara në pushtetin ligjvënës të këtij shteti.

Në fund, vlen të theksohet se, punimi shkencor i prof. Shasivari do të publikohet në një nga revistat ndërkombëtare të kësaj konference të indeksuar në Clarivate Analytics.