Ministria e Punëve të Jashtme ka shpallur persona non grata ose person të padëshiruar një diplomat rus në vend. Më 14 maj në Ministrinë e Jashtme është ftuar ambasadori i federatës ruse Sergej Aleksandroviç Bazdikin dhe i është dorëzuar nota me të cilën kërkohet që diplomati i ambasadës ruse në vend ta lëshojë territorin e Maqedonisë së Veriut në afat prej shtatë ditësh.

Lajmi iu dha Bazdikinit nga një zyrtar i Ministrisë së Jashtme në përputhje me protokollin diplomatik. Arsyeja për shpalljen “persona non grata” nuk sqarohet nga Ministria e Jashtme, por, jozyrtarisht mësohet se janë veprimet jo në përputhje me sjelljen e pritur nga ana e një diplomati të huaj që shërben në një vend mikpritës. Presidenti Stevo Pendarovski konfirmon se dikasteri i Jashtëm ka pasur arsye për një vendim të tillë.

Këto janë gjithmonë çështje të ndjeshme për t’u sqaruar rreth arsyeve. Jam i informuar që prej disa ditësh, siç janë edhe institucionet e tjera kompetente. Nga ajo që kam parë, rasti është dokumentuar nga institucionet kompetente dhe nuk bëhet fjalë për improvizim. Por, për shkak të natyrës së çështjes nuk mund të komentoj më shumë”, tha Stevo Pendarovski, president.

Dikasteri i Jashtëm e bazon vendimin në nenin 9 të Konventës së Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike.

Shteti pritës mundet në çdo kohë dhe pa pasur nevojë të sqarojë vendimin, të njoftojë shtetin dërgues se kreu i misionit ose cilido anëtar i stafit të misionit diplomatik është “persona non grata” ose se cilido anëtar tjetër i stafit është i papranueshëm. Në cilindo rast, shteti dërgues duhet, të tërheqë personin ose të ndërpresë funksionin e tij në misionin diplomatik”, thuhet në Konventën e Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike.

Vendimi shënon kështu herën e parë që institucionet e sigurisë dhe lidershipi politik i Maqedonisë kanë shpallur në mënyrë të pavarur një “diplomat” rus si “persona non grata”.

Ky veprim vjen pasi disa vende të Evropës ndërmorën aktivitete për zbulimin e spiunëve rusë, shpalljen e disa diplomatëve për “persona non grata” dhe dëbimin e tyre. Së fundi, Bullgaria dhe Republika Çeke zbuluan një aktivitet spiunazhi të kryer nga Shërbimi Rus GRU. Në Republikën Çeke u zbulua se Agjentë të GRU-së kishin sabotuar depo armatimesh që çuan në vdekjen e 2 shtetasve çekë. Edhe në Bullgari, agjentët e GRU-së tentuan të ndërtonin një rrjet spiunësh që të raportonte aktivitetet e NATO-s, por ai u zbulua.

Fatlume Dervishi